E Diel, 1 Nëntor 2026

Njazi Kuqi rrëfen tmerrin e së dielës

 

Njazi Kuqi asnjëherë nuk ka luajtur në një skuadër të fortë, që disfatën ta pranonte me vështirësi. Ka pësuar shpesh humbje, madje me disa skuadra që është aktivizuar më shumë ka përjetuar humbje se sa fitore. Megjithëkëtë, një humbje prej nëntë golash diferencë (9-0) e trishton atë, i trishton edhe dy shqiptarët e tjerë të Koblenzit, Ardian Gjokajn e Fatmir Vatën. Koblenzi të dielën u shkatërrua 9-0 në ndeshjen e javës së tetë të Bundesligës 2 ndaj Hansa Rostokut. Kuqi dhe Gjokaj përjetuan nga afër këtë “tmerr”, ndërsa Vata ishte i dëmtuar dhe nuk luajti. 25-vjeçari Kuqi, thotë se vetja i është dukur si në një ring boksi me një kundërshtar të një peshe shumë më të madhe. “Kjo që përjetuam ishte si nokauti në boks. Është vështirë të përballohet, madje ne u nisëm drejt Rostokut për të marrë fitore. Ishim shumë të motivuar dhe të bindur se mund të merrnim pikë”, është shprehur sulmuesi i Finlandës për “Koha Ditore”. Kjo është disfata më e rëndë që ka përjetuar Kuqi, por edhe skuadra e tij në gjithë historinë e saj. Një humbje të tillë, askush në klub nuk e ka pritur, pasi skuadra vetëm një javë më parë dërmoi Kaizerslauternin me shifrat 5-0. “Të gjithë jemi të shokuar. Asgjë nuk na shkonte, e kundërshtarët gati çdo aksion e finalizonin me gol”. Shqiptari nga Mali i Zi, Gjokaj, ishte titullar, derisa Vata ka kohë që po vuan nga dëmtimi në këmbë. Koblenzi është i 14-ti në klasifikim me tetë pikë të grumbulluara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›