I mbijetuari: Isha në varkën e dytë, pashë vdekjen me sy
SARANDE / SHPRESA DINE
Ndërsa luanin bilardo në një lokal të fshatit organizuan ikjen drejt Greqisë. Tre adoleshentë nga fshati Imsht i Bubullimës në Lushnjë u nisën tri ditë më parë drejt jugut, me qëllim realizimin e ëndrrës për të emigruar. Por, të tre u ndodhën në varkën e tragjedisë. Njërit prej tyre, Ndriçim Miftarit, nuk i dihet ende fati, ndërsa dy të tjerët, Denis Zema dhe Marsel Mataj, nga 17 vjeç, prej së dielës në mbrëmje dhe dje ndodheshin në spitalin e Sarandës. Tronditja e tyre nga skena e përmbysjes së varkës e më pas luftës për mbijetesë i ka detyruar mjekët t'i mbajnë nën kontroll. Denisi, i cili thotë se ka parë vdekjen me sy në ato çaste, arrin të tregojë atë pjesë të rrugëtimit fatkeq. Megjithëse nuk pohon se ku do i gjenin 1 mijë eurot e kërkuara nga trafikantët, të cilët në çdo qytet ndryshonin.
Si ndjeheni?
Jam shumë i tronditur. Kam parë vdekjen me sy. Jam i tmerruar nga ajo që jetova.
Në cilën varkë ndodheshit?
Kam qenë në varkën e dytë. Të parët ikën disa të tjerë. Unë me dy shokët e mi, që jemi të një moshe dhe nga i njëjti fshat, mbetëm më pas. Ishim në atë varkë që u përmbys. Pasi hipëm në varkë u ngjeshëm shumë me njëri-tjetrin. U bëmë rreth 12 vetë që hipëm në varkë. Pasi ecëm vetëm pak minuta, kur ishim rreth 50-60 metër larg nga bregu për t'u hedhur matanë kanalit, varka filloi të lëkundej dhe të anohej dhe menjëherë u përmbys. Ndërsa fillova të notoj, pas meje dëgjoja britmat "vdiqëm -vdiqëm". Nuk mora vesh se ç'ndodhi me të tjerët, as vetë nuk di si u gjenda në breg.
Kur iu ka lindur ideja për të ikur për në Greqi?
Kam qenë me një grup shokësh në fshatin tim, në Imsht, komuna Bubullimë, në Lushnjë, në bilardon e fshatit. Aty po flisnim kur vendosëm me njëri-tjetrin që të niseshim për në Greqi. Fillimisht kam hezituar, por shokët më thanë se kishin disa të njohur në Lushnjë, që do të na ndihmonin për të kaluar kufirin. Një ditë më parë vendosëm dhe të nesërmen u nisëm. Askujt në shtëpi nuk u thashë që do të ikja.
Njihnit ndonjë nga ata që iu shoqëruan?
Jo, asnjë prej atyre që na shoqëruan nuk njihja. Kemi kaluar nga një dorë në tjetrën nga persona të ndryshëm. Asnjë prej tyre nuk kam njohur më parë.
Për të ardhur deri në Sarandë ju janë dashur lekë. Ku i gjetët?
Na ishte thënë se paratë, pra eurot, do i dorëzonim në fund të rrugës, kur të mbërrinim në Greqi. Ndërsa varkës i kemi dhënë nga 50 mijë lekë.
Sa ditë qëndruat në pritje për t'u nisur?
Ndenjëm dy ditë në Sarandë dhe mbrëmjen e së dielës, veç e veç u mblodhëm në afërsi të vendit ku ndodhej edhe varka. Qëndronim në pritje të nisjes, por kishim edhe frikë se mos zbuloheshim dhe na kthente policia. Frikën edhe e shprehëm, por na qetësuan duke na thënë se nuk kishte problem se ata i dinin rrugët dhe për të mos u kapur nga policia do të kalonim matanë me varkë. Na thanë jo atje ku është lundra se ka një pikë policie dhe kapemi. Na e bënë shumë të lehtë kalimin dhe prandaj nuk e mendonim se do të ishim para një ngjarje të tillë, që për shumë kohë nuk do ta marr dot veten.
Kë keni në shtëpi dhe me se jetoni?
Në fshat unë kam babanë e nënën dhe një vëlla 11 vjeç. Nuk kemi mundësi ku të punojmë, pasi nuk ka punë dhe prandaj vendosa edhe unë të shkoja jashtë për të ndihmuar familjen. Vetëm ca bagëti dhe një copë tokë kemi.
Sa klasë shkollë keni kryer?
Nuk kam mbaruar as 8-vjeçaren.
Ka qenë në varkën tuaj Ndriçim Myftari, për të cilin nuk dihet asgjë deri tani?
Ishte, por nuk e di se ku mund të ketë përfunduar. Do zoti të jetë shëndoshë e mirë.
Ju jeni ende adoleshent. Si do ta përballonit punën e vështirë në Greqi?
Më detyroi nevoja se jemi në gjendje të keqe ekonomike. Po si unë kanë shkuar edhe të tjerë nga fshati në këtë vend, por edhe njerëz nga të mitë. Jo se janë bërë mirë, por kanë mundësi jetese më të mirë. Thashë ta provoja edhe unë fatin tim në shtetin fqinj.
Çfarë mendove kur u përmbys varka?
Nuk pata kohë të mendoja asgjë. E mendova veten në fund të detit dhe vetëm noti që u dhashë këmbëve dhe fati më ndihmuan për të shpëtuar.
Alarm për 17-vjeçarin e zhdukur,ndodhej në varkën që u mbyt
LUSHNJE - Në varkën e tragjedisë ndodhej dhe një 17-vjeçar nga Bubullima e Lushnjës. Ndriçim Myftari është parë në momentin e nisjes, por askush nuk di asgjë për fatin e tij. Që në mëngjes, në Butrint ka mbërritur i ati dhe xhaxhai i tij. Familja e adoleshentit nuk dinte asgjë për Ndriçimin, derisa mëngjesin e së dielës ai i ka marrë në telefon duke u thënë se ishte në Sarandë dhe shëndoshë e mirë. "Jemi tepër të tronditur. Nipi im është në moshë të re. Ka ikur për hall. Jo për qejf, për një copë bukë. I bëjmë lutje dhe thirrje qeverisë të bëjë çmos që ta gjejë. Kërkojmë që kërkimet të mos ndalojnë. Janë pesë fëmijë, tre vëllezër dhe dy motra. Nuk do të iki nga Butrinti, pa gjetur nipin, Ndriçimin", pohoi dje xhaxhai i tij. Ndërsa kërkimet vazhdojnë për fatin e 17-vjeçarit, në shtëpinë e tij në fshatin Imshtë ka pllakosur dhimbja. Burrat e familjes kanë shkuar drejt Sarandës, ndërsa në shtëpi qëndrojnë gratë, mes tyre e ëma e Ndriçimit. Mes lotësh, nëna e tij thotë se nuk dinte asgjë për këtë udhëtim të të birit drejt Sarandës, ndërsa shton se kushtet ekonomike të familjes janë të vështira. "Nuk kemi shtëpi dhe jemi keq nga gjendja ekonomike. Jetojmë të gjithë në një banesë të vogël dhe kjo e shtyu Çimin të merrte rrugën e emigracionit. Kërkoj nga shteti gjetjen e trupit të tim biri. Vetëm djalin dua, asgjë tjetër në këtë botë, nuk kërkoj lekë nga im bir dhe asgjë tjetër. Ju lutem më sillni të gjallë tim bir", janë këto fjalët përgjëruese të nënës së Ndriçimit, Shkëndijes. Ajo ende nuk i ka veshur rrobat e zisë, pasi thotë se ka shpresa që i biri do t'i ketë mbijetuar tragjedisë. "Ishte djalë i fortë. Kurrë nuk do të besoja se ka vdekur. Ndriçimi ishte rritur mes sakrificave të shumta dhe e donte jetën. Kam bërë mirë në këtë botë dhe nuk meritoj një shpërblim të tillë. Kërkoj vetëm ndihmën e specialistëve për të gjetur tim bir. Unë jam nënë dhe e ndjej, ai është ende gjallë", shpreson ajo. Vëllai i adoleshentit, Olsi, thotë se Ndriçimi ishte nisur për në Greqi bashkë me dy shokë të tjerë dhe këtë e ka konfirmuar me një telefonatë që ka bërë me të atin rreth orës 17:20 të pasdites së të dielës. "I thamë të mos ikte nga shtëpia. Edhe babi me mamin i kishin thënë disa herë të mos largohej por Ndriçimi nuk rrinte dot më. Ne kishim marrë edhe disa borxhe dhe ai i kishte premtuar prindërve se do t'i lante ato me forcat e tij. E mori babanë në telefon kur do të hipte ne varkë dhe i tha se çfarë po bënte. Nuk e ndalonim dot. Mamasë nuk i thamë gjë për momentin se ajo bëhet shumë merak. Shpresojmë të ketë kaluar kufirin e të mos jetë mbytur".