“K. Ronaldo më zhgënjeu ndaj Shqipërisë”
Aleks Ferguson, trajneri i Mançester Junajtid, ka thënë për mediat angleze se beniamini i tij, Kristiano Ronaldo, ndeshjen më të dobët të këtij sezoni e ka zhvilluar kundër Shqipërisë. “Ronaldo e meriton “Topin e Artë”. Ai është padyshim lojtari më në formë i momentit dhe, ndonëse kaloi një dëmtim të rëndë, është kthyer ai i mëparshmi – ka thënë Ferguson për “sportinglife.com” – Gjatë këtij sezoni ai ka luajtur mirë jo vetëm me Mançesterin, por edhe me Kombëtaren, me përjashtim të ndeshjes kundër Shqipërisë. Në fakt, kundër Suedisë ai u paraqit shumë mirë, por ndaj Shqipërisë ishte një zhgënjim i vërtetë. Këtë ma konfirmoi edhe Karlos Keiroz, pasi as ai nuk e kishte kuptuar atë që ndodhi të mërkurën”. Për paraqitjen e dobët kundër Portugalisë, Ronaldo u kritikua shumë edhe nga media portugeze. Deklaratat e trajnerit të “Djajve të kuq” kanë ngjallur reagimin e shumë tifozëve, të cilët në forume kanë fajësuar edhe vetë Fergusonin, për rendimentin e Ronaldos me Kombëtaren portugeze. Një pjesë e madhe e tyre, janë shprehur të bindur se këto janë politikat e klubeve të mëdha, të cilat u kërkojnë ose u imponojnë yjeve të tyre që të jenë sa më të kujdesshëm dhe të mos shpenzojnë shumë energji kur lojtarëve si Ronaldo, Kaka apo Ibrahimoviç, u duhet të luajnë me fanellat e përfaqësueses.