"Korrupsion me fondet e partive"
BLEDAR HOTI
Transparency International shprehet se mungesa e transparencës së fondeve të partive politike, krijon premisa për korrupsion të lartë politik. Në një deklaratë median, TI-ja kërkon parashikimin e saktë në Kodin Zgjedhor të bërjes publike të fondeve të partive politike. TI-ja konstaton se informaliteti, mungesa e transparencës dhe kuadrit ligjor, mungesa e kapaciteteve dhe mekanizmave të kontrollit në financimet kryesisht nga bizneset dhe subjektet private, në favor të partive ka krijuar një terren të përshtatshëm për një nivel të lartë të korrupsionit politik. Për këtë organizëm, parti politike vazhdojnë të cenojnë një nga detyrimet e tyre kryesore kushtetuese, bërjen publike të çdo lloj burimi financiar, duke fshehur në mënyrë të vazhdueshme deklarimin e burimeve të tyre private. "Në Shqipëri vazhdon të mungojë, një kuadër i veçantë ligjor për ketë çështje. Çdo iniciativë për të përfshirë disa elementë në Kodin Zgjedhor, jo vetëm që është e vonuar, por edhe nuk garanton zbatimin e plotë të detyrimeve kushtetuese", thuhet në deklaratë.
Shmangia nga kontrolli fiskal
Financimet nga subjektet private, donacionet, dhuratat apo ndihmat që japin shoqëritë tregtare, në favor të partive politike, mbeten ende një privilegj jashtë çdo kontrolli fiskal dhe ligjor. Sipas TI-së, vetë partitë politike nuk kanë bërë ende asnjë përpjekje, për të ngritur kapacitete dhe për të shmangur vakumin në struktura me qëllim auditimin e brendshëm të financave dhe kjo gjë vihet re, pothuaj në të gjitha partitë politike në vend. Por mungesën e transparencës, ky organizëm e lidh dhe me faktin se "shoqëritë tregtare, të cilat janë financueset më të mëdha nuk janë të interesuara të formalizojnë këto marrëdhënie dhe donacionet e tyre, pasi në thelb kanë interesa të ngushta për të përfituar në proceset e prokurimeve, privatizimeve e sipërmarrjeve publike. Ato, sipas TI-së, kthehen kështu jo vetëm në partnerë në abuzimin me pushtetin, por edhe influencues në vendimmarrje të rëndësishme politike, ekonomike dhe institucionale. Transparency International i kërkon Kuvendit mundësinë e një diskutimi transparent dhe realizimin e një seance dëgjimore me pjesëmarrje të gjerë si dhe pjesëmarrje të ekspertëve të saj veçanërisht për një çështje kaq kritike, siç është financimi i partive politike. "Ne i ofrojmë bashkëpunimin Kuvendit të Shqipërisë dhe çdo subjekti që ka vullnetin për të hedhur themelet e një sistemi transparent dhe ligjor, i cili do të forcojë demokracinë e brendshme të subjekteve politike, por edhe do të përbëjë një kontribut në konsolidimin e shtetit ligjor", thekson organizata.