Turizmi, 8 mijë vizitorë në Gjirokastër
Gjirokastër- Qyteti i Gjirokastrës po kthehet në një destinacion të preferuar turistik. Shifrat që kanë ardhur në rritje e tregojnë më së miri këtë fakt. Kështu, qysh prej muajit maj e deri në fundin e shtatorit të këtij viti kështjellën e Argjirosë e kanë vizituar rreth 8 mijë turistë, vendas dhe të huaj, ose e thënë ndryshe sa trefishi i së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Shifra bëhet publike nga Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze. “Vërejmë me kënaqësi se numri i turistëve është rritur ndjeshëm, edhe pas mbylljes së sezonit turistik në qytete të ndryshme të vendit. Në këtë aspekt kanë ndikuar së tepërmi edhe dhjetëra agjensi të huaja turistike mjaft prestigjioze, që e kanë përfshirë Gjirokastrën në guidat e tyre’, është shprehur Rajmond Kola, drejtor i këtij institucioni.
E gjithë pjesa muzeale është e frekuentuar nga tursitët, por në mënyrë të veçantë ata nuk largohen pa vizituar Pazarin Karakteristik dhe kështjellën.