Kontrabanda e kafesë, 2 në pranga
Korçë- Dy persona janë ndaluar në Kapshticë, nën akuzën e kontrabandës së kafesë. Sipas burimeve nga policia e kësaj pike doganore, mësohet se dy shtetasit, 37 dhe 38-vjeçarë janë ndaluar në flagrancë, teksa tentonin të fusnin në tokën shqiptare një sasi kafeje të futur kontrabandë.
“Të ndaluarit janë 37-vjeçari S.K nga qyteti i Maliqit dhe 38-vjeçari, J.L nga fshati Slabinjë i Pogradecit”- thonë të njëjtat burime. Sipas policisë së doganës mësohet se këta persona kanë tentuar që të futin në tokën shqiptare nga pala greke 1260 kg kafe në mënyrë kontrabandë.
Ende nuk bëhen të ditura të tjera detaje rreth kontrabandës, por specialistët thonë se po punohet për të zbuluar vendin ku është marrë kafeja dhe lidhjet me ndonjë grup tjetër kontrabandistësh nga pala greke.