Butrinti, një mbyllje gjithë dashuri
Një mbyllje e bukur për një festival ndërkombëtar teatror. Kështu është përcaktuar spektakli "Dashuria e dashurive", që është ngjitur e fundit në mbrëmjen e së enjtes në skenën antike të Butrintit, një produksion i përbashkët franko-rumun i regjisores Katalina Buzoianu. "Kënga e këngëve", shfaqja e trupës franko-rumune në Butrint, ishte si qershia mbi tortë për Festivalin Ndërkombëtar të Butrintit, në natën e tij të fundit. Teksti i kësaj shfaqjeje, që më shumë se teatër ishte një spektakël i mrekullueshëm, ishte marrë nga Bibla, për të nënvizuar se dashuria është e fortë si vdekja dhe vdekja është e fortë si xhelozia. Përmes saj janë rikonfirmuar vlerat e librit të shenjtë, Biblës, ku ndjehesh si në një udhëtim nga dashuria te dhimbja e humbjes së saj. Maqedonasi Philippe Ristovski, që jeton në Rumani, krijoi një duet solistik të mrekullueshëm me francezen Ilinca Marche. Në sfondin e interpretimit të tyre solistik dhe të aktrimit me po aq patos, ishte valltarja Sandra Mavhima, që përfaqësoi personazhe të zakonshme në haremin e mbretit, me 400 gra. Kompozitori, një djalë i ri, i quajtur Dominici Michel, tekstit fetar i ka veshur një stof, një ind muzikor të natyrës rok. Spektaklin franko-rumun "Kënga e këngëve" e bëri të mrekullueshëm edhe projeksioni i pasur me video, ideuar dhe realizuar nga Tom Brandus, që shoqëroi aksionin e protagonistëve. Producentja Catherine Kiss tha se projeksioni kishte një tjetër magji në skenën e Butrintit, pasi loja me imazhe drite shkrihej në relievin e mureve. Nuk ka dyshim se "Kënga e këngëve" ishte finalja më e bukur e edicionit të 10-të. Mesazhi i veprës ka qenë: ndjesia e dashurisë është krijuar nga zoti për njerëzit, por ndodh që ata e vrasin. Në cilësinë e moderatorit të festivali, Stefan Çapaliku tha se prej shfaqjes së kompanisë franko-rumune është marrë edhe mesazhi i duhur për komunitetin teatror, mesazhi se teatri po bëhet "sport shumë i rëndë". Aktorët nuk thirren më kështu, por artistë, se prej tyre kërkohet të jenë shumëdimensionalë në skenë: edhe të dancojnë e këndojnë, përveçse të aktrojnë. Me gjithë mrekullinë që sollën në Butrint franko-rumunët, modestisht Catherine Kiss, Presidente e kompanisë teatrore franko-rumune "L‘Association Mnemosyne", tha se e konsideron një nder të bërë nga organizatorët faktin që kësaj trupe iu vu në dispozicion skena e Festivalit të Butrintit. Se sa u pëlqye finalja e bukur e franko-rumunëve, kjo pati edhe një tregues tjetër: për herë të parë në 10 vjet, në konferencën për shtyp, të organizuar direkt pas shfaqjes në skenën e festivalit, kishte aq shumë publik, përveç studiuesve, kritikëve dhe gazetarëve. Catherine Kiss, presidente e kompanisë teatrore franko-rumune "L‘Association Mnemosyne", ka vlerësuar si një sipërmarrje të bukur të gjithë Festivalin e Butrintit, duke u shprehur se do të ishte vështirë të realizohej një organizim i tillë në Francë.