Veçe Zela nderohet në Zvicër
Pavarësisht se prej vitesh i ka munguar skenës, Vaçe Zela vazhdon të kujtohet e të vlerësohet prej dashamirësve të saj. Së fundmi, këngëtarja e madhe shqiptare është nderuar me mirënjohje edhe nga shoqata "Bashkimi i Intelektualëve Shqiptarë të Zvicrës". Gjatë ceremonisë së dorëzimit të mirënjohjes ishin të pranishëm shumë personalitete dhe intelektualë shqiptarë me banim në Zvicër. "Bashkimi i Intelektualëve Shqiptarë të Zvicrës nderon me mirënjohje Artisten e Popullit, zonjën Vaçe Zela, ikonën e këngës dhe muzikës së lehtë shqiptare, që me zërin e saj frymëzoi e bashkoi shpirtërisht shqiptarët në mbarë hapësirën kombëtare, e kudo në botë", shkruhej në motivacionin e mirënjohjes, të dorëzuar nga kryetari i shoqatës, Abas Fejzullahi. Vetë Artistja e Popullit, Vaçe Zela, e vlerësoi këtë mirënjohje. Shoqata Bashkimi i Intelektualëve Shqiptarë të Zvicrës, themeluar më 29 nëntor 1997, në Bernë, prej 130 intelektualësh shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Zvicër, ka si qëllim bashkimin e potencialit intelektual shqiptar në Zvicër dhe vënien e tij në shërbim të çështjes kombëtare dhe të komunitetit shqiptar në Zvicër. Ky bashkim ka dhënë mirënjohje dhe për shumë personalitete të tjera shqiptare në fusha të ndryshme të jetës. Vaçe Zela ka marrë pjesë në të gjitha festivalet e muzikës në radio dhe më vonë në radiotelevizion, që prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981, kur u largua nga skena. Prej shumë vitesh ajo jeton në Zvicër. Vaçe Zela është nderuar me Urdhrin "Nderi i Kombit" nga ish-presidenti Moisiu.