Trajnohen specialistët e monumenteve
UNESCO jep 1.3 milionë USD për restaurimin e objekteve të kultit në Berat, që përbën edhe fazën e parë të projektit për restaurimin dhe konservimin e objekteve të kulturës, pjesë e dosjes së UNESCO-s në qytetin e Beratit, e cila do të shoqërohet edhe me fonde të tjera në të ardhmen. Sipas koordinatores së këtij projekti, Edlira Caushi, fondi prej 1.3 milionë USD është dhënë nga qeveria italiane në kuadrin e programit të UNESCO-s dhe se do të shërbejë për trajnimin e 20 punonjësve të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorive Rajonale të Monumenteve të Kulturës të disa rretheve e qarqeve arkeologjike të vendit, 10 nga të cilët do të jenë inxhinierë arkitektë dhe 10 restaurues të veprave të artit. Ata do të punojnë për të dokumentuar studimin dhe projektimin e monumenteve mbi të cilat do të punohet në këtë projekt. Për trajnimin e këtij grupi specialistësh, janë përzgjedhur tre objekte monument kulture të kategorisë së parë, të cilat ndodhen në kalanë e lashtë: kishat "Shën Mëria e Vllahernës" e "Shën Triadha", si dhe Xhamia e Kuqe. Zbatimi i fazës së parë të projektit ka nisur pak ditë më parë, me ndërhyrjet në kishën e "Shën Kollit", e cila është një vepër monumentale e shekullit XVI. Punimet restauruese konsistojnë në konsolidimin e shtratit piktural, fiksimin e shtresave parapërgatitore, pastrimin e sipërfaqes së pikturuar dhe përgatitjen e qëndrimit estetik mbi pikturën, ku rëndësi të dorës së parë do të ketë dokumentimi i çdo faze të ndërhyrjes në pikturë. Zonja Caushi shpjegon se ndërhyrjet do të konsistojnë në restaurimin e dy ikonave dhe një ikonostasi, të cilat aktualisht ndodhen në laboratorin e Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë dhe të afreskeve në muret e brendshme të kishës. Kjo fazë e restaurimit dhe konservimit të tre objekteve të kultit në qytetin e Beratit, do të përfundojë brenda 18 muajve.