Buxhet shtesë për Misionin ndërlidhës të Kosovës në Beograd

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka aprovuar dokumente dhe vendime të fushës së veprimit të saj ligjorë dhe kushtetues.Në mbledhje është aprovuar Koncept-dokumenti për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ngrohjen Qendrore, në përputhje me legjislacionin evropian për promovimin e shfrytëzimit të energjisë nga burimet e ripërtërishme.
Ministria e Drejtësisë ka propozuar për anëtarë të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësorë të Kosovës nga Qeveria e Kosovës, z.Fekë Sadikajn , ndërsa Qeveria e Kosovës ka miratuar këtë propozim.
Bazuar në Ligjin për Shërbimin Civil dhe të Rregullores për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, Ministria e Administratës Publike ka përgatitur Raportin vjetor për situatën e përgjithshme të Shërbimit Civil për vitin 2012. Qeveria ka miratuar raportin dhe të njëjtin e ka proceduar në Kuvendin e Kosovës. Raporti pasqyron zhvillimin strukturën gjinore, etnike dhe arsimore në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.
Kabineti qeveritar ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e Planit të Dokumenteve Strategjike për vitin 2013, duke përfshirë në këtë plan edhe hartimin e Strategjisë për të drejtat e njeriut 2013-2017 dhe Strategjinë për bashkëpunimin e Qeverisë me shoqërinë civile.
Në mbledhjen e sotme të kabineti qeveritar është themeluar Këshilli i Turizmit të Kosovës në përbërje:
Halil Bajrami - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë; kryesues Leonora Shala - Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë; anëtare Merita Agustini - Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit; anëtare Sami Behrami - Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor; anëtar Jakup Berisha - Oda Ekonomike e Kosovës; anëtar Shqipe Arifaj - Asociacioni i Komunave të Kosovës; anëtare Hasan Krasniqi - ekspert i pavarur;
Ky këshill do të kryejë detyrat sipas Ligjit për turizmin dhe sipas rrethanave do të ofrojë informata shtesë dhe ekspertizë për institucionet relevante të Republikës së Kosovës për zhvillimin e turizmit në Kosovë.
Me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar buxhetin shtesë për funksionimin e Misionit ndërlidhës të Republikës së Kosovës në Beograd dhe për trajtimin e tij të veçantë si punë me shkallë të lartë të rrezikshmërisë. Në komunikatën e Qeverisë nuk jepen shifra rreth shumës së këtij buxheti.
Në funksion të realizimit të projekteve për interes publik, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar shpronësimet, për interes publik, i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i rrugës Nacionale N9 në zonat kadastrale, Balincë, Llazicë, Mleçan dhe Kijevë të Komunës së Malishevës.
Vendimi tjetër i qeverisë është për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim, për interes publik, të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i Objektit Administrativ dhe pjesëve përcjellëse për stërvitje dhe trajnime për nevoja të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave/Ministria e Punëve të Brendshme, Zona Kadastrale Hajvali dhe Çagllavicë të Komunës së Prishtinës.
Janë miratuar edhe shpronësimet dhe vlerësimet shtesë me interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës Vermicë-Merdar në zonat kadastrale në Fushë Kosovë dhe zona kadastrale Uglar të Komunës së Graçanicës./Indeksonline/