E Diel, 1 Nëntor 2026

VV fton qytetarët për pjesëmarrje në demonstratën e nesërme në Prishtinë

Vetëvendosje sot u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës për pjesëmarrje në demonstratën e nesërme kundër Ratifikimit të Marrëveshjes Thaçi - Daçiç.

Që do të mbahet në Prishtinë, duke filluar në orën 9, para Kuvendit të Kosovës.

Vetëvendosja nëpërmjet ftesave të dërguara në mediat e Kosovës, dhe gjithandej nëpër qytetet e Kosovës, ku kjo lëvizje ka degët e saja ka apeluar qytetarët që t’i bashkangjiten demonstratës. Vetëvendosje është përkujdesur që praktikisht në secilën ftesë dërguar qytetarëve të një qyteti të ketë nga një shkak të veçantë pse qytetarët duhet t’i bashkangjiten demonstratës. Bie fjala, në ftesën dërguar qytetarëve të Mitrovicës thuhet:

“Me marrëveshjen Thaçi-Daçiq dorasit e policit Enver Zymberi i cili ra në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës, kanë marrë garanci nga se nuk do të kapen dhe se do të jetojnë të lirë në Asociacionin e Komunave Serbe, ku do të qeverisin vetë.

Kjo është marrëveshja që kapitullon plotësisht sovranitetin e Kosovës, pamundëson rigjallërimin e jetës dhe punës në veri të vendit tonë si dhe pengon në vazhdimësi rivitalizimin dhe kontrollin mbi burimet tona më të rëndësishme ekonomike, Trepçën dhe Ujmanin.

Prandaj, ju bëjmë thirrje që nesër, e enjte të na bashkëngjiteni në Demonstratën kundër Ratifikimit të Marrëveshjes Thaçi – Daçiq”.

Vetëvendosje është përkujdesur të sigurojë edhe autobusët për transportin e të interesuarve për të marrë pjesë në demonstratën e nesërme.

Në secilën ftesë është saktësuar vendi i nisjes së autobusëve për në prishtinë, ora e nisjes së tyre dhe ora e mbajtjes së demonstratës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›