E Diel, 1 Nëntor 2026

LDK-së iu bashkua një grup i madh krijuesish

Këshillit të Ekspertëve të LDK-së sot iu bashkuan disa artistë të rinj, fushash të ndryshme: piktorë, skulptorë, dizajnerë, grafistë etj, me formim të mirëfilltë intelektual e professional. Ata i kanë të kryera studimet master ose janë në prag të përfundimit të tyre dhe janë artistë të cilët kanë shënuar rezultate të theksuara në fushat e tyre, duke marrë shumë çmime kombëtare.

Kryetari i LDK-së, akademik Isa Mustafa, duke u dëshiroi mirëseardhje, nënvizoi karakterin elitar si premisë programore dhe ideologjike të LDK-së. Ai theksoi se bërthama intelektuale dhe kulturore mbetet bërthamë e përhershme ideologjike dhe strukturore e LDK-së dhe se partia të cilën ai e udhëheq është e gatshme që ta ringrisë konceptin elitar për promovim të dinjitetit qytetar në Kosovë. Angazhimin e krijueve të rinj ai e trajtoi si promovim të një koncepti, i cili tashmë është institucionalizuar në LDK si premisë programore dhe i cili do të shërbëjë si parabazë për qeverisjen e ardhshme të vendit nga LDK-ja.

Krijuesit shprehën vullnetin e tyre për të punuar Brenda forumeve profesionale të LDK-së për promovimin e vlerave kulturore të Kosovës dhe u shprehën të bindur se në LDK do ta gjejnë hapësirën e nevojshme për promovim të konceptit të tyre kulturor dhe për zhvillim vlerash prtofesionale.

Z. Vesel Lekaj, nga ky grup shprehu mirënjohjen për hapësirën që LDK-ja po ia jep kulturës dhe theksoi se aderimi i krijuesve me formim të mirëfilltë akademik dhe me vlera të theksuara artistike do ta ndihmojë LDK-në që ta hartojë programin e saj elitar.

Z. Vehbi Miftari, udhëheqës i Grupit të Ekspertëve për Kulturë në LDK, foli kryesisht për parimet programore të LDK-së për kulturën. Ai nënvizoi se tashmë LDK-ja e trajton atë si vlerë identitare të qytetarit të Kosovës, e cila do të mbrohet dhe do të zhvillohet në programin qeverisës të LDK-së. Ai nënvizoi se përafrimi i krijuesve të rinj me vlerat programore të LDK-së është përafrim drejt ndërtimit të dinjitetit qytetar dhe kulturor të shtetasve të Kosovës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›