E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, 10 miliardë lekë ndryshojnë destinacion

23/09/2009  Nis punën Komisioni i Ekonomisë. Ulen të ardhurat në buxhet, shkak kriza

Komisioni parlamentar i Ekonomisë nisi punën me miratimin e ndryshimeve në buxhetin e këtij viti, pa praninë e deputetëve të opozitës. Ministri i Financave Ridvan Bode prezantoi dokumentin për uljen e nivelit të të ardhurave buxhetore me rreth 10 miliardë lekë. Shkak për këtë ndryshim të paralajmëruar është bërë rënia e të ardhurave në dogana, si pasojë e efekteve të krizës ndërkombëtare.

Përdorimi i fondeve

Kreu i Financave shpjegoi se do të rialokohen paratë që ishin planifikuar për projekte, të cilat ministritë nuk i kanë tenderuar gjatë këtij viti dhe që rrezikojnë të digjen. “Bëjmë një korrigjim të të ardhurave të buxhetit me rreth 10 miliardë lekë. Ulim të ardhurat e buxhetit çka reflekton si presionet e krizës globale në ekonominë shqiptare që lidhen me importet dhe disa aktivitete ekonomike të eksporteve, po ashtu reflektojmë atë ndryshim që i bëmë në ecje e sipër kontributit të sigurimeve shoqërore që e ulëm me 1/3 në krahasim me fillimin e vitit. Ne synojmë të rialokojmë rreth 8 miliardë fonde nga investimet publike dhe rreth 1.3 miliardë nga shpenzimet operative si fonde që nuk mund të përdoren gjatë vitit për shkak se prokurimet nuk janë përfunduar deri në këtë moment, për shkak se një pjesë e investimeve nuk konsiderohet e domosdoshme dhe eficente në një vit të tillë, problematik për financimin normal të gjithë aktiviteteve”, - tha ministri Bode. Sipas tij, gjithë tenderët do të kryhen nga institucionet publike brenda 5-mujorit të parë të vitit të ardhshëm që investimet dhe realizimi i projekteve të bëhet brenda afateve për të mos krijuar presione në fund të vitit. “Ne do t’i kërkojmë të gjitha institucioneve kryerjen e tenderave brenda 5 muajve të parë të vitit, në mënyrë që të mund të bëhet edhe realizimi i projekteve dhe shpenzimi i fondeve”, - tha ministri.

Borxhi publik

Rishikimi i buxhetit 2009 reflekton përdorimin e të ardhurave nga privatizimi i ARMO-s, në masën 9.790 milionë lekë të papërdorur nga viti i kaluar, të ardhurave nga privatizimi strategjik i OSSH-së, prej 11.700 milionë lekësh, si dhe të ardhurave nga shitja e aksioneve të AMC-së prej 5.440 milionë lekë për rritjen e investimeve. Ndryshimet në kursin e këmbimit, rënia e të ardhurave dhe shpenzimet e larta kanë rritur borxhin e jashtëm. “Rritja e borxhit publik për këtë vit në Shqipëri nuk vjen për shkak të rritjes në terma realë të borxhit, por për shkak të rivlerësimit të borxhit. Rreth 30% të borxhit publik e kemi borxh të huaj, e kemi në valutë të huaj. Ndryshimi i vlerës së këmbimit të valutës së huaj me monedhën vendase na çon në një mbivlerësim”, - tha Bode. Ministri kritikoi organet e pushtetit vendor për administrimin e të ardhurave dhe rritjen e numrit të punonjësve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›