E Shtunë, 31 Tetor 2026

I pushuan gruan nga puna, tenton të vrasë drejtorin

23/09/2009  Hyri në lokalin ku po pinte dhe e kërcënoi me granatë, neutralizohet

Autori i traumatizuar për shkak të gjendjes së keqe ekonomike

BERAT- Një ngjarje e rëndë që mund të kish përfunduar me viktima ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Beratit. Një 50-vjeçar ka hyrë në një lokal i armatosur me një granatë dhe ka tentuar të vrasë me të administratorin e firmës që mbulon pastrimin e qytetit. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 në një lokal në lagjen “10 Korriku”, shumë pranë gjykatës së këtij rrethi. Burime të Drejtorisë së Policisë qarkut Berat në një komunikatë për shtyp sqaruan se mbrëmjen e djeshme është marrë informacioni se në lokalin me pronar M. M një person është paraqitur i armatosur me një granatë dhe kërcënon me jetën një klient që ndodhej në të, i cili është identifikuar më pas si administrator pranë firmës “Infinit Konstruksion”, firmë kjo që mbulon pastrimin e qytetit. Autori qëndronte brenda lokalit dhe me granatë në dorë kërcënonte se do ta vriste administratorin duke hedhur granatën, pasi i kish pushuar nga puna gruan. Situata e krijuar ka vënë në alarm dhe klientët e tjerë që ndodheshin në lokal, ndërkohë që vetë sipërmarrësi i firmës është munduar ta qetësojë autorin deri në momentin që aty kanë mbërritur forcat e policisë. Autori i identifikuar Iljas M. është shoqëruar menjëherë në organin blu ku dhe është marrë në pyetje rreth ngjarjes. Uniformat blu bllokuan në cilësinë e provës materiale granatën defensive dhe ndezësin e saj. Sipas burimeve të policisë, autorin e kishte shtyrë më shumë për t’u hakmarrë ndaj drejtorit të firmës gjendja e vështirë ekonomike me të cilën do të përballet familja e tij pas pushimit nga puna të bashkëshortes. S. Gorica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›