E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja vendet e mbetura bosh në universitete

23/09/2009  Në Durrës, Shkodër, Korçë dhe Elbasan. Regjistrimet e tjera pas listët së dytë të fituesve

Universitetet në rrethe deklarojnë kuotat e mbetura bosh pas fazës së parë të regjistrimit. Në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës sipas zv/rektorit Mithat Mema kanë mbetur pa u plotësuar rreth 105 vende.

Kuotat

Sipas zv/rektorit Mema, Fakulteti i Edukimit ka bosh rreth 27 të drejta studimi, Fakulteti Ekonomi Administrim 28 vende dhe Shkolla e Lartë Profesionale 50 kuota bosh. Nga gjithsej 2270 vende, në këtë universitet janë të mbetura bosh 275 kuota. Gjithsesi sipas burimeve universitare pritet që këto vende të plotësohen pothuajse krejtësisht pas fazës së dytë të regjistrimeve, ndërsa pritet që lista e dytë e fituesve të shpallet më 25 shtator dhe menjëherë më pas nisin regjistrimet në degët që kanë kuota të paplotësuara nga regjistrimi i fazës së parë. Ndërkohë në universitetin “F. S. Noli” në Korçë ishin parashikuar rreth 1322 kuota për të gjitha degët, ndërsa janë regjistruar deri në përfundim të fazës së parë të regjistrimeve për vazhdimin e shkollës së lartë rreth 1150 studentë. Burimet pranë këtij universiteti thonë se kanë të paplotësuara rreth 172 kuota. Fakulteti i Mësuesisë mësohet të ketë 58 vende bosh. Nga 463 kuota të parashikuara jenë regjistruar rreth 405 të rinj. Ndërsa në Fakultetin e Ekonomikut janë të paplotësuara rreth 49 vende, në Fakultetin e Bujqësisë 45 vende bosh dhe departamenti i Infermierisë 20 vende bosh. Ndërkohë vetëm 275 kuota të lira numërohen pas mbylljes së fazës së parë të regjistrimeve në universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Nga të dhënat e zyrës për Burimet Njerëzore mësohet se në 22 degë numri total i të regjistruarve është 1995 nga 2270 kuota të përcaktuara nga vetë universiteti. Kuotat e mbetura bosh pritet të plotësohen në fazën e dytë megjithëse mundësitë më të mëdha janë për lëvizje nga njëra degë në tjetrën dhe kjo do të çojë në pakësim në disa prej degëve dhe mbushje për degët më të preferuara. Kështu mbushje pritet të ketë për Fakultetin Ekonomik, ku kanë mbetur jo më shumë se 30 kuota dhe një interesim më i pakët kundrejt gjuhëve të huaja dhe të Fakultetit të Shkencave Humane. Një interes i madh është vënë re në Fakultetin e Shkencave Sociale si dhe në degët e reja të hapura rishtazi. Po kështu ndër preferencat kanë hyrë edhe degët Infermier dhe infermier Mami. Në universitetin "Luigj Gurakuqi" të qytetit të Shkodrës për herë të parë ka vende të lira më shumë në degët e preferuara vit pas viti, siç është juridiku dhe më pak në degët e konsideruara si më pak të preferuara, për shkak edhe të vështirësive që kanë lëndët në provime, siç janë matematika dhe fizika. Të ndara sipas fakulteteve vërehet se në Fakultetin e Shkencave natyrore ka 57 vende të lira, në Fakultetin e Shkencave të edukimit 43 vende, në Fakultetin e Shkencave Shoqërore 41 vende, në Fakultetin e Drejtësisë 21 vende, në Fakultetin Ekonomik janë 38 vende të lira, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja ka 32 vende vakante. Sipas drejtuesve të Universitetit të Shkodrës, listat e kuotave të paplotësuara do të dorëzohen pranë Agjencisë së Pranimit në Universitete (APRIAL), ku do të përpunohen edhe njëherë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›