Buxheti 2007-të, qeveria "ndihmë" nga parlamenti
Qeveria kërkon për të tretën herë brenda vitit votën e parlamentit për të ndryshuar buxhetin e vitit 2007-të
Rreth 57% e investimeve vjetore janë realizuar sipas buxhetit gjatë 2 muajve të fundit të këtij viti
Pas mbylljes së 10 mujorit dhe mbetjes 485 milionë dollarë në arkën e qeverisë vetëm në zërin investime, Ministria e Financave ka sjellë një buxhet të ri për vitin 2007-të në qeveri, i cili do të kërkojë miratim edhe nga ana e parlamentit. Gjysma e kësaj shume, rreth 200 milionë dollarë ka ndryshuar drejtim duke shkuar për borxhet e KESH-it, shpërblime për pensione dhe financime të rrugës Durrës-Kukës. Qeveria ka zgjidhur qesen në 2 muajt e fundit të vitit, duke realizuar në letra 57% të investimeve që ishin parashikuar në buxhetin e vitit 2007, shifra të cilat nuk janë realizuar dot për 10 muaj me radhë. Mosrealizimet kanë ardhur në një kohë që buxheti është miratuar që në vitin 2006 dhe ka qenë në dorën e ministrisë për t'u përdorur që më 1 janar 2007. Shifra të tillë mbeten tepër optimiste kur në 10 muaj janë realizuar vetëm 38% e investimeve vjetore, referuar të dhënave të Ministrisë së Financave. Por vetëm 10 ditë në mbyllje të këtij viti Ministria e Financave bën të ditur se realizimi i investimeve do të jetë 95% për vitin 2007, ndërsa një pjesë e fondeve po alokohen në ato sektorë ku edhe vëllimi i punimeve është më i shpejtë. Për të realizuar këtë projekt, që rezulton me mosrealizime të shumta, qeveria ka marrë një sërë rialokimesh, qeveria ka kërkuar që buxheti të votohet sërish në parlament. Sërish edhe për vitin 2007, si në 2006 kompania "Bechtel" do të marrë kartolinën e urimit për vitin 2007 bashkë me "dhuratën" e qeverisë, që do të jenë fonde shtesë dhe paradhënie për punimet e rrugës Durrës-Kukës. Kompania që ka marrë edhe projektin gjigant që do tërheqë pjesën dërrmuese të investimeve publike, do të marrë një shtesë në fond që shkon në 61 milionë dollarë.
Investimet nuk realizohen
Pjesa kryesore e mosrealizimeve në investime gjatë vitit 2007 kanë ardhur nga financimet e huaja. Sipas Ministrisë së Financave gjatë 10 mujorit 2007 janë realizuar 42 për qind të investimeve publike me financim të brendshëm dhe vetëm 28.7% e investimeve publike me financim të huaj.
Referuar shifrave të Ministrisë së Financave, gjatë 10 muajve të parë të vitit 2007 (janar-tetor) realizimi i investimeve të huaja ishte në nivelin 38%, ose në vlerë 26.7 miliardë lekë, ose 326 milionë dollarë. Nëse krahasohen me realizimin e investimeve në vitet e tjera, sërish viti 2007 mbetet në nivele tepër të ulëta jo vetëm si përqindje ndaj totalit të investimeve në këtë vit, por edhe në vlerë absolute, krahasuar me vitet e mëparshme. Sipas qeverisë për mosrealizimin e investimeve, faktor pengues ka qenë kapaciteti i pakët i firmave të ndërtimit.
Investimet në 2 muaj
Rreth 57% e investimeve vjetore sipas Ministrisë së Financave janë realizuar në 2 muajt e fundit të vitit, në muajin nëntor dhe atë dhjetor. Bashkë me 38% e fondeve të disbursuara në 10 muajt e parë të vitit 2007, në total shifra shkon në 95%. Vetëm 5% do të jenë mosrealizimet, sipas Financave. Por shifra prej 485 milionë dollarësh të bën të mendosh se si ka mundësi që këto kompani që nuk kishin kapacitete për 10 muaj, tashmë paskan shtuar fuqitë duke tërhequr 57% të investimeve vjetore në një kohë rekord. Plani i realizuar gjatë kësaj periudhe është 1% në ditë ose në vlerë rreth 8 milionë dollarë çdo ditë. Sipas llogarive 60 ditët e fundit të këtij viti kanë qenë me të vërtetë produktive, ndërsa punimet e realizuara të paktën në akset kryesore kanë vonesa të dukshme, të konstatuara edhe nga ana e institucioneve përkatëse.