Të ndërrojmë popullin, ai na i ka fajet!
• Armela YmerajFilozofia e re qeverisëse ka një metodologji mjaft efikase për të bërë të mundur gjetjen e fajtorit për çdo fenomen që shoqëron atë. Për t’i rënë shkurt do të merrja vetëm disa nga citatet e shtypit, të vjela nga qeveritarë kohët e fundit, për të kuptuar se cilët janë fajtorët e rrënimit ekonomik dhe social të shqiptarëve. 1 - Nëse qeveria akuzohet për korrupsion në KESH, kryeministri e ka gati përgjigjen; fajin ...e kanë biznesmenët, të cilët u japin para nën dorë faturistëve të KESH-it. 2 - Nëse ka një problem me korrupsionin në shëndetësi, ministri përkatës u thotë gjithë bujë kamerave: Fajin e kanë pacientët, të cilët u japin para nën dorë mjekëve dhe infermierëve.3 - Nëse çmimet janë harbuar dhe kjo ka kohë që ndodh, qeveria më së fundi e gjeti dhe fajtorin e kësaj situate që ka që nga qershori që vlon: Fajin e kanë tregtarët e vegjël, të cilët abuzojnë me çmimet. Bëhen kështu show-t e radhës me marrje dhe sekuestrim malli tek ata të vegjlit fare, që janë më të parëndësishmit në gjithë këtë histori çmimesh.4 - Nëse Banka e Shqipërisë flet për rritje të normës së lekut dhe kjo i shqetëson të gjithë, përsëri fajin e ka Banka Shqipërisë, thonë andej nga Ministria e Financave.5 - Nëse humbi jetën tragjikisht minatori, në minierën e Bulqizës, fajin e ka vetë minatori, tha dikur një zyrtar i Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës.6 - Ndërsa përjashtim bën vetëm korrupsioni në gjyqësor, sepse për këtë fajin qeverisë ia kishte Sollaku.I rreshtova të gjithë këta argumente, sepse qeveria të lë me gojë hapur përballë arsyetimeve dhe show-t televizivë. Nëse çmimet rriten do të pyesja: Çfarë bën qeveria?! Ajo dikton me zhurmë fajtorin dhe vetëm kaq. Mirëpo çmimet kanë kohë që rriten dhe Banka e Shqipërisë, si asnjëherë në gjithë këto vite, ka ngritur disa herë brenda vitit normën e interesit për lekun, duke dhënë herë pas herë sinjalin S.O.S, për ata që kanë veshë për të dëgjuar.Thonë se qeverisjet janë për të bërë rregullatorin në një vend demokratik dhe aq më shumë në një vend në zhvillim. Mirëpo kjo qeveria jonë ka dëgjuar shumë përralla kur ka qenë në adoleshencën e saj, madje edhe ato që tregoheshin për humor i ka marrë për të mirëqena. Mua më kujtohet një e tillë:Tregonin të vjetrit se në kohën e komunizmit dënuan një roje se i kishin vjedhur lopën e kooperativës. Gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, që u bënë të hapura në fshat, roja pranoi që e kishte zënë gjumi, mirëpo iu drejtua atyre që e akuzonin: Mirë unë që po flija kam faj, po hajduti që e vodhi lopën nuk pati asnjë faj. Me këtë filozofi qeverisëse është duke punuar edhe qeveria jonë, e cila asnjë përgjegjësi nuk e mban mbi supe dhe për pasojë krekoset nëpër televizione e gazeta se i ka kryer të gjitha angazhimet, për të cilat është mandatuar e betuar me dorë në … zemër para popullit. Xhanëm mirë e ka një miku im, që kur i referohet qeverisë aktuale thotë: Qeveria duhet të ndërrojë popullin urgjent. Filozofia qeverisëse tregon dhe demonstron hapur se për çmimet e ka fajin populli, për korrupsionin në shëndetësi e ka fajin populli, edhe për korrupsionin në KESH prapë populli e ka fajin, edhe pse janë shtuar krimet ordinere populli e ka fajin. Të ndërrojmë popullin urgjentisht! Ai na i ka të gjitha fajet! Qeverinë e kemi për së mbari!!!Tani pres të dëgjoj që edhe për zonat e bllokuara nga dëbora populli e ka fajin. Në fund të fundit ç’faj ka qeveria pse ata kanë zgjedhur të jetojnë atje?! Mirë e ka qeveria populli e ka fajin që fle…!!!