E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e energjisë, PS-ë protestë në Durrës dhe Elbasan

Të premten më protestë do të vendosen projektorë që do të simbolizojnë qirinjtë.
TIRANË- Durrësi dhe Elbasani kanë qenë dy qytetet e radhës ku qytetarët kanë protestuar për kushtet e vështira të jetës, të shkaktuara nga mungesa e një sërë produktesh bazë, siç është energjia, uji, apo edhe nga papunësia, çmimet e larta etj. Gjatë tubimit që është zhvilluar në Durrës bashkë me banorët e këtij qyteti ka protestuar edhe kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili ka gjetur rastin të shprehë edhe një herë keqardhjen për kushtet e vështira në të cilën janë detyruar që të jetojnë sot shqiptarët si pasojë e asaj që ai e konsideron si keqqeverisje të djathtë. I shoqëruar edhe nga Dokle, Braçe, e përfaqësues të tjerë të opozitës, Rama duke shprehur revoltën e tij për këtë gjendje ka garantuar qytetarët durrsakë se opozita është e gatshme ta nxjerrë vendin nga terri. "Ne jemi gati të marrim këtë qeveri dhe ta nxjerrim vendin nga vendi i tretë i korrupsionit", -u shpreh dje kryetari i PS-së, Edi Rama. Ndërkohë që për të njëjtat arsye kanë dalë në protestë edhe qytetarët e Elbasanit, ku morën pjesë edhe drejtuesit e lartë të PS-së Blendi Klosi dhe Valentina Leskaj. Protesta ka nisur para portës së Kalasë dhe ka vazhduar përgjatë bulevardit deri para godinës së prefekturës Elbasan. Qytetarët kanë parakaluar me qirinj në duar dhe me parulla kundër KESH-it dhe qeverisë që, sipas tyre, po shkatërrojnë biznesin, po dëmtojnë rëndë familjet dhe po ndikojnë në rritjen katastrofike të çmimeve. Klosi në fjalën e tij të rastit e ka quajtur protestën kundër errësirës si një protestë të të gjithë qytetarëve. Ai theksoi se Partia Socialiste nuk do të reshtë me protestat e saj deri në rrëzimin e qeverisë së errësirës. Ndërkohë që Partia Socialiste së bashku edhe me partitë e tjera opozitare kanë nisur përgatitjet për mitingun e madh që pritet të mbahet ditën e premte në sheshin "Skënderbej". Dy organizatorët e këtij mitingu, kreu i PS-së së Tiranës Besnik Bare dhe Monika Kryemadhi e LSI-së, janë takuar dje për të rakorduar përgatitjet e fundit. Kështu në këtë kuadër ka nisur shpërndarja e më shumë se 20 mijë broshurave në të gjithë Tiranën, ku u bëhet thirrje qytetarëve të dalin në protestë. Gjithashtu është parashikuar një organizim model edhe në shesh, ku rolin kryesor do e luajnë të rinjtë e forumeve rinore të partive opozitare, të cilat do të krijojnë dhe kuadrate të veçanta. Ndërkohë që në këtë miting do të vendosen dhe disa projektorë që do të simbolizojnë qirinjtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›