Shkodër / Rrjedh gazi, asfiksohen nënë e bir
Meliha Shkreli, 28-vjeç, dhe djali i saj 3.5 vjeç përfunduan në spital. Po flinin kur u gjetën të asfiksuar
Shkodër- Ishin duke fjetur, kur bombola e gazit për pak u ka kushtuar jetën. Këtë radhë, jo për faj të ndonjë shpërthimi aksidental, por për shkak të rrjedhjes së gazit të lëngshëm. Nënë e bir përfunduan me urgjencë në spital në gjendje të rëndë për shëndetin, nga rrjedhja e gazit, në banesën e tyre. Ka qenë fat, që në momentet kur kanë qenë në gjendje gjumi, era e rëndë e gazit është ndjerë nga pjesëtarët e tjerë të familjes, ndryshe pasojat do të ishin tragjike.
Ngjarja
Rrjedhja e gazit brenda në një prej dhomave të shtëpisë së familjes Shkreli në lagjen "Salo Halili" në Shkodër ka alarmuar familjen, ndërsaka lënë pasoja në shëndetin e Meliha dhe Riad Shkrelit, përkatësisht 28 dhe 3-vjeç e gjysmë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, por edhe rrëfimit të familjarëve të dëmtuar, ngjarja ndodhi pasditen e djeshme. Familjarët tregojnë se kanë qenë ata që kanë ndjerë erën e rëndë që vinte nga dhoma ku ishte soba, që furnizohej nga një bombol gazi. "Kemi qenë në banesë, kur Melihaja bashkë me djalin ishin duke fjetur",- thonë të afërmit e familjes. Sipas tyre, ka qenë fat që është ndërhyrë në kohë. Në momentin që u ndje era, familjarët konstatuan se tubi i bombolës së gazit që përdorej për furnizimin e sobës ngrohëse me gaz kishte rrjedhur, duke mbushur ambientin me erë mbytëse. Gazi ka shkaktuar asfiksi të gruas, e po ashtu edhe të djalit të vogël.
Mjekët
Gruaja u dërgua në spital nga familjarët pasditen e djeshme. Gjendja e saj, sipas tyre, paraqitej e rëndë, me asfiksi totale. Në të njëjtën kohë është dërguar në spital dhe djali i saj Riadi, 3-vjeç e gjysmë. Në urgjencë, sipas mjekëve që i kanë pritur të dy janë ndarë. Gruaja në repartin e urgjencës së të rriturve, kurse fëmija në Pediatri. "Djali u trajtua me shpejtësi dhe për fat të mirë është jashtë rrezikut për jetën",- bëjnë me dije mjekët e spitalit të Shkodrës. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për gruan, e cila vazhdon të jetë në gjendje kritike, e pa përmirësuar edhe pas ndihmës që iu dha nga mjekët. Sipas tyre, ajo po mbahet në kontroll të vazhdueshëm.