PS: Promemoria s'kalon në Asamblenë Kombëtare
Isaraj: "Pretendimet që shfaqin hartuesit në tërësinë e tyre nuk qëndrojnë"
TIRANË- Promemoria e "nanoistëve" nuk do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme që do të zhvillohet ditën e shtunë në qytetin e Shkodrës. Kjo, për shkak se dokumenti i hartuar nga mbështetësit e ish-kryetarit Fatos Nano nuk është paraqitur ende në forumet e partisë, dhe për rrjedhojë nuk është diskutuar nga kryesia për t'u futur më pas në rendin e ditës së mbledhjes së Asamblesë Kombëtare. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje anëtari i kryesisë së PS-së, dhe njëkohësisht nënkryetari i grupit parlamentar të kësaj force, Arben Isaraj, i cili ka theksuar dje se ajo nuk është pjesë e agjendës së diskutimeve të asamblesë. "Përsa i përket promemories dua të them se është një lëvizje me të cilën nuk është ndeshur kryesia PS-së, për arsye se nuk është dorëzuar përpara në kryesi apo në sekretariat, që të diskutohej dhe të futej në agjendë për t'u diskutuar në mbledhje më të gjera të asamblesë apo të tjera", - u shpreh Isaraj. Megjithatë, sipas statutit të PS-së, përcaktohet se diskutimi i kësaj çështje në Asamble mund të hidhet në votë gjatë miratimit të rendit të ditës së kësaj mbledhjeje, çka ka shumë pak mundësi që të kalojë. Ndërkohë që lidhur me pretendimet që shfaqin hartuesit e saj, numri dy i grupit parlamentar socialist ka theksuar se ato në tërësinë e tyre nuk qëndrojnë. Sipas tij, PS-ja është një parti demokratike që vepron në bazë të disa dokumenteve bazë, të cilat janë miratuar nga të gjitha strukturat më të larta vendimmarrëse të partisë. Për rrjedhojë, ai është shprehur se pretendimet i nanoistëve, se në parti mungon hapësira për të shprehur zërin ndryshe apo edhe se është vendosur fryma e diktatit, nuk rezultojnë të jenë të vërteta. Në këtë linjë ai ka bërë të qartë se lëvizja që ka ndërmarrë ish-kryeministri Fatos Nano "për një vendimmarrje institucionale" është e pambështetur në argumente që të vërtetonin një vendimmarrje ndryshe. "Politika e re që po ndjek PS-ja nuk përjashton dhe nuk ka kufizuar asnjëherë, dhe asnjë rast, atë mendim ndryshe që shprehet nga anëtarët e tjerë të PS-së apo në forumet e PS-së. Mendimet që janë votuar në PS-ë janë të detyrueshme për t'u zbatuar nga ata që janë në minorancë.
Nuk shoh as në statutin e PS-së dhe as në dokumentet e tjera që ne të kemi vendosur barriera për të mos respektuar dhe mos dëgjuar mendimin ndryshe. Kemi ofruar gjithmonë votim, sigurisht që edhe në grupin parlamentar kemi ofruar votim, nuk e kanë pranuar votimin dhe kanë folur që nuk lejohet votimi", u shpreh Isaraj.