E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet, ndërrojnë drejtim 200 mln USD

Ndryshimi i destinacionit, qeveria rialokon fonde sa gjysma e investimeve 10 mujore
Mosrealizimi
Investimet, ndërrojnë drejtim 200 mln USD
Ulet me 24 milionë USD targeti i investimeve 2007-të, investimet me financim të huaj ulen me 50 milionë USD
Rreth 61 milionë dollarë do të shkojnë për vazhdimin e financimit të Rrugës Durrës-Kukës. Kompanitë që punojnë në këtë projekt sipas qeverisë janë të vetmet që kanë mundur që të realizojnë planin e investimeve dhe të jenë në avancë, duke përfituar edhe një shtesë fondesh që shkon në 61 milionë USD.
Në muajin dhjetor të këtij viti qeveria ka rialokuar një fond prej rreth 200 milionë dollarësh, një shifër rekord për 17 vite. Sipas Ministrisë së Financave këto fonde kanë ardhur për shkak të mosrealizimeve të investimeve dhe njëkohësisht edhe të kursimit në proceset e tenderimit. Qeveria ka ulur edhe nivelin e investimeve qëparashikoheshin të realizoheshin me anë të financimit të huaj me rreth 50 milionë dollarë. Nga ana tjetër, investimet në total, sipas Ministrisë së Financave, ulen me rreth 2 miliardë lekë ose 24 milionë dollarë. Në aktin e ri të miratuar nga ana e Ministrisë së Financave investimet ulen në 68.1 miliardë lekë nga 70.1 miliardë lekë që ishin parashikuar për t'u realizuar në buxhetin e vitit 2007-të
Ku shkojnë 200 milionë USD ?
Qeveria ka miratuar gjatë ditës së djeshme ndryshimin e tretë në buxhetin e vitit 2007-të që duhet të marrë edhe miratimin nga ana e parlamentit. Akti normativ i qeverisë ka si qëllim kryesor rialokimin e fondeve nga projektet që nuk janë realizuar gjatë vitit 2007.
Durrës-Kukës, 61 milionë USD shtesë
Vetëm për sa i përket zërit investime do të rialokohen 37 milionë dollarë, ndërsa 24 milionë dollarë të tjerë që vijnë nga kursimet korrente do të shkojnë sërish për investime. Këto fonde, rreth 61 milionë dollarë do të shkojnë për vazhdimin e financimit të Rrugës Durrës-Kukës. Kompanitë që punojnë në këtë projekt, sipas qeverisë, janë të vetmet që kanë mundur që të realizojnë planin e investimeve dhe të jenë në avancë, duke përfituar edhe një shtesë fondesh që shkon në 61 milionë USD.
Shpronësimet marrin 37 milionë USD
Fondi i dhënë nga ana e qeverisë për shpronësime në buxhetin e shtetit të vitit 2007-të shtohet me 37 milionë dollarë. Këto fonde do të shkojnë për shpronësime të autostradës Fier-Vlorë, të Unazës së Tiranës, të Unazës së vogël të Tiranës. Këto zona do të përfitojnë dhe fondin kryesor të shpronësimeve, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë në projekte të tjera
KESH-i merr borxhin 50 mln USD
Pas shumë lutjesh, KESH-i ka mundur që të marrë një borxh të ri që shkon në 50 milionë dollarë. Pas një sërë kërkesash të drejtuara për borxhe shtesë, fondi i vitit ka qenë edhe momenti i përshtatshëm për qeverinë. Dështimet në investime që nuk kanë arritur të realizohen as në nivelin e 40% në fund të 10 mujorit të 2007-të, kanë drejtuar qeverinë në rialokimin e fondeve.
Shpërblimet e pensionistëve 33 mln USD
Gjeli i detit edhe këtë vit është siguruar nga ana e kryeministrit Berisha për pensionistët. Shpërblimi prej 5 mijë lekësh për çdo pensionist është miratuar gjatë mbledhjes së djeshme nga qeveria. Nga ky vendim pritet që të përfitojnë rreth 500 mijë pensionistë, që duhen t'i gëzohen këtij shpërblimi, pasi me rritjen e pakët të pensioneve dhe me çmimet super të larta në prag të festave nuk do të mund të gëzonin as natën e fundvitit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›