Buxheti 2009 dhe rritja e mirëqenies
Për të ballafaquar disa akuza, që janë bërë nga opozita lidhur me rënien e ritmit të të ardhurave në buxhet dhe për të bërë më të prekshëm rritjen impresionuese të të ardhurave fiskale, po ballafaqoj disa tregues të përgjithshëm të të ardhurave në Buxhetin e Shtetit.
Buxheti 2009 mundëson një efikasitet, eficiensë dhe transparencë më të mirë se më parë në përdorimin e parave të taksapaguesve shqiptarë. Rëndësia e përgatitjes dhe miratimit të një buxheti proaktiv për ekonominë e vendit, ridimensionohet për vitin 2009, nisur nga dy faktorë specifikë; së pari, faktin se kriza e tregjeve financiare botërore ka impaktuar një recension ekonomik të disa ekonomive të rëndësishme botërore; dhe se viti 2009 është një vit elektoral.
* Në tre vitet e qeverisjes aktuale, janë arkëtuar në Buxhet, 785 miliardë lekë, nga 506 miliardë të arkëtuar në periudhën 2002-2004, kur taksat ishin dy herë më të larta. (vetëm në vitin e fundit 2008 arkëtohen 1,5 miliardë USD më shumë se në vitin 2004). Të ardhurat e programuara për vitin 2009, janë plot dy herë më të mëdha se mesatarja 4-vjeçare e qeverisë së mëparshme.
* Të ardhurat nga doganat dhe tatimet, që është burimi kryesor i buxhetit dhe, të cilat, administrohen nga qeveria qendrore, në periudhën 2002-2004 janë rritur me vetëm 0,6% e PBB-së, edhe pse niveli i taksave ishte i pandryshuar. Në tre vitet e fundit ato janë rritur me 3,1% e PBB-së, ose me një ritëm 6 herë më të lartë se qeveria paraardhëse, edhe pse niveli i taksimit është përgjysmuar.
Rritja e mirëqenies shoqërore përbën një karakteristikë të Buxhetit 2009. Me politikën e saj të hartimit dhe përdorimit të buxheteve, qeveria në vijimësi ka mundësuar garantimin e një mirëqenieje në rritje, dy herë më shpejt se rritja ekonomike nominale e vendit për të gjitha kategoritë shoqërore të lidhura me administratën publike dhe që përfitojnë nga skemat e mbrojtjes shoqërore.
Programi i ndjekur ka mundësuar që, në harkun katërvjeçar, të kemi një dyfishim të pagave të ulëta në administratën publike, me prioritet arsimin dhe shëndetësinë, ku punojnë mëse ¾ e administratës publike. Me buxhetin e vitit 2009 mundësohet:
* Paga mesatare e rreth 105 mijë punonjësve buxhetorë, do të shkojë në 47 mijë lekë në muaj, nga 27 mijë që ka qenë në vitin 2005, ose e rritur mesatarisht me 74% në katër vite. Paga mesatare për 45 mijë punonjësit e arsimit, do të jetë 46 mijë lekë, nga 23 mijë që ka qenë në vitin 2005. Paga e mjekëve dhe infermierëve, gjithsej 16,500 punonjës, do të jetë respektivisht dy herë më e lartë se në vitin 2005, duke arritur në 43 mijë e 32 mijë lekë.
* Të ardhurat e pensionistëve të pleqërisë në qytet, nga 8350 lekë që kanë qenë në vitin 2005, në vitin 2009 do të jenë 11240 lekë, ose 35% më të larta, ndërsa në fshat plot dy herë më të larta (nga 3630 në 7210). Të njëjtën rritje do të kenë edhe llojet e pensioneve të tjera e alokacioneve që shpërndahen nga buxheti i shtetit.
Dhe së fundi, ritheksoj se buxheti 2009 karakterizohet nga një siguri e lartë në zbatim, ka rezerva të mëdha në të ardhura, për shkak të një programimi konservativ, si dhe kontigjencat më të mëdha, prej mbi 20 miliardë lekë, kur vite më parë ato ishin vetëm 2 miliardë lekë. Nëse këtyre rezervave u shtojmë edhe të ardhurat nga privatizimi, rreth 200 milionë euro të papërfshira në buxhet, siguria që karakterizon buxhetin, nuk mund të jetë një shtysë e inkurajim për investitorët vendas dhe të huaj, një garant për qëndrueshmërinë makroekonomike të vendit.