Për një kod të debatit
Përplasjet e fundit midis kolegëve, M. Meksi dhe A. Klosi, në faqet e “Shekulli”-t, e bëjnë sërish të ngutshme nevojën për të adoptuar një kod të etikës së debatit, të tillë që t’ia zërë vendin kanunit të së drejtës për shpagim, që ka vepruar deri më sot. E them këtë, jo vetëm sepse më vjen keq t’i shoh të dy këta miq të mençur të kacafyten mes tyre, por edhe ngaqë besoj se të drejtën e fjalës, të cilën e kemi paguar shtrenjtë, nuk mund të vazhdojmë ta interpretojmë njëkohësisht, edhe si të drejtë për të abuzuar me fjalën.
Nuk është hera e parë që debate si ky rrëgjohen në shprehje të gjakmarrjes rituale mes intelektualëve, ku çdo transgresion dhe hap i mëtejshëm përligjet me ç’ka bërë kundërshtari më parë. Të duket sikur debatuesit i sulen njëri-tjetrit për ta shfarosur krejt e për ta “vrarë” simbolikisht, pa çka se viktima kryesore e këtyre dyluftimeve është fjala e lirë dhe aftësia e saj e pajetërsueshme për t’iu qasur së vërtetës. Të gjesh kush ka të drejtë në labirintet e replikave, të qëmtosh kush është fyer dhe pse, të kërkosh kush është Gjergji e kush Bajlozi, të matësh kush është lënduar më shumë e më thellë se tjetri, janë ndërmarrje, sa të kota, aq edhe të pamundura.
Debati publik gjithnjë e ruan një element teatral dhe sportiv, si grishje lexuesit ose shikuesit për t’u zbavitur me mjeshtërinë e oratorëve, virtytin e argumentit ose shkathtësinë e mendimit. Por ka një kufi midis kësaj zbavitjeje të mendjes dhe eglendisjes së turmës në cirk, ose të voyeur-it të kapur në ekstazë, përballë një zënieje epike. Të gjithë ne që shkruajmë në këto faqe, e kemi ndoshta edhe për detyrë t’i ofrojmë publikut zbavitje të një lloji të ndryshëm nga zbavitja televizive, ose nga të shijuarit e reality shows, ku çdo shkelje e etikës dhe e etiketës ndihmon për të shitur programin, së bashku me birrat e reklamave shoqëruese (madje aq e ndihmon, sa ndonjëherë vjen edhe e gatuar paraprakisht nga regjia).
Që këtej, edhe ftesa ime kolegëve për të pranuar – në heshtje dhe modesti – një kod të etikës së debatit, i cili të mbështetet në parimin se çfarë na bashkon ne, kacafytës dhe të kacafytur, është ku e ku më e rëndësishme se çfarë na ndan. Ky parim do të kërkonte, para së gjithash, nevojën për të hequr dorë një herë e mirë nga argumentet ad hominem, të cilat helmojnë çdo lloj bisede dhe shkëmbimi mendimesh, madje edhe mes mendjeve më të ftohta e të drejtpeshuara; sepse akuzat personale dhe fyerjet shndërrohen në katalizatorë të një procesi pervers, i cili e largon dhe tëhuajson debatin nga objekti i vet, për ta përqendruar në personalitetet, herë delikate e herë të lara në flori, të debatuesve.
Megjithatë, zotimi për të hequr dorë nga argumenti ad hominem nuk mbahet aq lehtë, sepse të gjithë priremi vetvetiu të bëhemi njësh me argumentin që sjellim, thua se ky nuk rrjedh nga logjika, ose arsyetimi, ose vetë ecuria e dialogut, por është krijim yni vetjak, madje mban markën tonë si të ishte pije freskuese ose veturë sportive. Këtë lajthitje naive e të falshme, megjithatë, një hap i vetëm e ndan nga protagonizmi prej prima donna-sh, ose obsesioni me imazhin publik. Mirëpo, kulturës shqiptare të sotme dhe komunikimit në mediat, i duhen më tepër argumente të shumanshme, kundërti tezash, pluralizëm mendimi dhe debate publike, sesa ego të manikyruara dhe patriarkë shpëtimtarë të kombit.
Sidomos – dhe këtë dua ta theksoj – kultura e debatit nuk ka nevojë për prokurorë të atdhetarizmit, të cilët ta përdorin idealin kombëtar, ose “dashurinë” e tyre të pashembullt për “këtë popull” e për “këtë flamur”, si heshtë vrastare, për të goditur e shpuar tejpërtej kundërshtarët. Idealisht, askush nuk duhet të druhet e të stepet për ta thënë fjalën e vet, nga frika se do ta akuzojnë haptazi për tradhti ndaj kombit; sepse akuza të tilla e ndotin mjedisin intelektual të debateve dhe i përkasin një mendësie arkaike, e cila në të vërtetë, fjalën e lirë nuk e ka toleruar kurrë, por gjithnjë e ka shtypur pa mëshirë, në emër të modës ideologjike të radhës.
Nuk janë vetëm argumentet ad hominem që duan dëbuar nga debatet tona, por edhe paragjykimi i qëllimeve, ose i motiveve që frymëzojnë pjesëmarrësit. Teatri i politikës shqiptare, në këtë kontekst, jep shembuj jashtëzakonisht të këqij, prej të cilëve duhen mbrojtur jo vetëm të miturit, por edhe vetë intelektualët dhe komentatorët e mediave; sepse kur ulemi të shkëmbejmë mendime nuk është doemos e thënë të sillemi si babuinë e të gjuajmë njëri-tjetrin me të pëgëra, për të mbrojtur egot nga agresioni real ose imagjinar, e për të dëfryer pa masë vizitorët e zooparkut përtej hekurave të kafazit. Përkundrazi, mund t’i rregullojmë debatet tona aq mirë, sa t’ia ofrojmë e t’ia imponojmë pastaj si modele të komunikimit publik edhe vetë politikës.
Motivet e autorëve po paragjykohen tani aq lirshëm e aq pa përgjegjësi, sa lexuesi, ose shikuesi, pothuajse e mirëpret paragjykimin si të ishte teknikë argumentimi dhe, motivimin, si të ishte pjesë e logjikës së atij argumentimi. Ndodh që arsye krejt personale e që duhej të mbeteshin të tilla, të sillen në tryeza si fjalë të fundit për ta dërmuar tjetrin – qejfmbetje, akuza të vjetra, incidente, legjenda urbane, thashetheme të lodhura e shpifje kafehanesh, por edhe produkte paranojash që i dinim të shëruara e të kapërcyera prej vitesh. Kundërshtari në debate, edhe kur ende nuk ka tradhtuar atdheun ose pështyrë mbi flamurin kuqezi, me zell të madh pikturohet si i marrë, ose i shtyrë nga qëllime të fshehta e të fshehura, ose i paguar në dorë nga grupet e interesit, ose i zënë ngushtë nga gjithfarë shantazhesh, politike ose seksuale.
E gjithë kjo farsë, që normalisht nuk do të pranohej as në rrethe private, vjen e bëhet e padurueshme kur shpaloset në skenat e komunikimit publik, mes njerëzish prej të cilëve lexuesi, shikuesi dhe dëgjuesi presin ndriçim, qasje ndaj së vërtetës, argumentim gjakftohtë dhe udhëheqësí. Siç e ceka edhe në krye të këtij shkrimi, fjala e lirë është tepër e çmuar për t’iu lënë në duar kujt rreket ta përdorë veç për interesa private, vetjake dhe meskine. Kaq shpejt ta kemi harruar se, deri edhe vetëm njëzet vjet më parë, dëshira për të folur lirisht i çonte qytetarët në burg, shkrimtarët në internim dhe intelektualët në kazmë; dhe të gjithë ne që kemi qenë të rinj atëherë e kishim zakon ta përfytyronim të ardhmen para së gjithash si liri të fjalës, jo si liri të pështymës?
Pavarësisht nga kodet e përbashkëta dhe paktet që mund të lidhim mes nesh, solemnisht ose në heshtje, gjithnjë do të gjenden edhe kolegë të gatshëm për t’i përdorur foltoret e mediave për qëllime të tyret, që nuk kanë shumë lidhje me interesin publik. Megjithatë, nuk mund të lejojmë që ky abuzim të bëhet shkas, ose pretekst, për t’i nxjerrë autorët para “gjyqit të popullit”, ose për t’ua hapur dosjet sipas qejfit, vetëm e vetëm për hir të fitores në një disput tashmë të katandisur në çjerrje macesh. Respekti i ndërsjellë ndaj debatuesve do të shërbente, në këtë rast, si kusht minimal për ta mbajtur debatin publik larg grackës fatale të një reality show për intelektualët.