Buxheti 2009, sa para do të ndahen për bashkitë
Fabiola Çela
Qeveria ka rritur fondet e parave, që do të japë nga buxheti i shtetit për bashkitë dhe komunat. Këtë vit qeveria demokrate duket se është treguar ‘dorëlëshuar’ me të gjitha bashkitë. Kjo pasi në projektbuxhetin e vitit 2009 është parashikuar të ketë rritje fondesh për të gjitha bashkitë pa përjashtim. Por rritjen më të lartë të fondeve e ka përfituar Bashkia e Tiranës.
Fondet
Këshilli i Ministrave ka miratuar projektbuxhetin e vitit 2009, sipas të cilit qeveria ka rritur fondet për bashkitë dhe komunat. Në këtë mënyrë këto të fundit kanë më shumë mundësi për të hartuar projekte në shkolla, kanalizime dhe rrugë. Por këtë vit ndryshe nga vitet e kaluara qeveria është treguar më bujare me Bashkinë e Tiranës dhe të Vlorës. Konkretisht për Tiranën fondi për 2009-ën arrin vlerën e 967,419 milionë lekëve nga 889,317 milionë lekëve që ishte në 2008-ën. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Bashkinë e Vlorës, fondi i së cilës për këtë vit ishte 299,084 milionë lekë, ndërsa vitin e ardhshëm do të jetë 314,623 milionë lekë. Rritje të konsiderueshme fondesh ka pasur edhe për Bashkinë e Korçës nga 166,785 milionë lekë në 186,488 milionë lekë. Po ashtu edhe për Shkodrën nga 309,954 milionë lekë në 346,361 milionë lekë. Për Bashkinë e Durrësit fondi për 2009-ën është 433,031 milionë lekë nga 404,186 që ishte një vit më parë. Në këtë mënyrë qeveria u ka dhënë prioritet pothuajse të gjithë komunave dhe bashkive duke u rritur fondet nga buxheti i shtetit. Kjo do të thotë së vitin e ardhshëm pushteti vendor do të ketë më shumë mundësi për të hartuar projekte për ndërtimin e shkollave të reja, rrugëve, ujësjellësve të rinj etj. Ndryshe nga vitet e kaluara, në 2009-ën qeveria demokrate ka rritur ndjeshëm fondin për bashkitë, pra e thënë ndryshe bashkitë dhe komunat mund të hartojnë projekte të reja, pasi financimet nga buxheti i shtetit tashmë i kanë të garantuara. Pjesën e luanit e ka marrë Bashkia Tiranës, por nuk kanë ngelur prapa as ajo e Shkodrës, Vlorës, Durrësit apo Korçës.