Investimet, realizimi 83 për qind Nuk janë shpenzuar 9.3 miliardë lekë
Publikohen të dhënat mbi realizimet e investimeve gjatë këtyre 9 muajve. Të dhënat zyrtare tregojnë se deri në fund të muajit shtator investimet janë realizuar 83 për qind e parashikimit të periudhës, ose rreth 48.2 për qind e planit vjetor. Sipas përllogaritjeve rezulton se ka një mosrealizim të investimeve prej 9.3 miliardë lekësh. Brenda këtyre shpenzimeve investimet me financim të brendshëm janë realizuar në masën 75.7 për qind, pra ka një mosrealizim prej 6.2 miliardë lekësh. Ndërsa investimet me financim të huaj janë realizuar në masën 89.4 për qind të parashikimit, duke rezultuar me një mosrealizim prej rreth 3.1 miliardë lekësh. Në krahasim me planin vjetor këto investime janë realizuar respektivisht 39.8 për qind dhe 57.2 për qind. Sipas të dhënave zyrtare, krahasuar me vitin e kaluar, investimet e brendshme rezultojnë rreth 3.6 miliardë lekë më të larta, ose rreth 22.8 për qind më të larta. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me investimet me financim të jashtëm, të cilat rezultojnë rreth 20.5 miliardë lekë më të larta, ose rreth 3.7 herë më shumë. Për rrjedhojë, investimet në total në fund të 9-mujorit janë afërsisht 24.2 miliardë lekë më të larta se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 1.1 herë më shumë. Ndërsa në projektbuxhetin e këtij viti janë parashikuar 89.512 miliardë lekë investime, nga të cilat investime me burime të brendshme 38.43 miliardë lekë dhe me burime të huaja 51.057 miliardë lekë. Ky nivel i shpenzimeve kapitale është 50.6 për qind më i lartë krahasuar me vitin 2007, si rrjedhojë e rritjes së burimeve të huaja të financimit përmes prezantimit të instrumenteve të rinj të borxhit, siç janë eurobondet. Ashtu si edhe më parë, në projektbuxhetin e vitit 2009 është parashikuar që fondet më të mëdha nga buxheti i shtetit do të përdoren nga sektorët prioritarë, si arsim, shëndetësi e infrastrukturë. Në 2009-ën qeveria ka përzgjedhur të financojë vazhdimin e projekteve të mëparshëm dhe jo të financojë projekte të rinj. Për sa i përket fondit të investime në infrastrukturë, pjesa më e madhe e parave janë destinuar të shkojnë për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Sipas zyrtarëve të lartë të qeverisë, ky projekt madhor pritet të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm. Realizimi i këtij projekti është dhe një ndër premtimet elektorale të qeverisë demokrate.