E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2010 - jo vend për eufori

Në buxhetin e vitit 2010, që qeveria e konsideron si superbuxhet, deklarohen shifra çoroditëse dhe jo reale, problemet zbehen dhe sfidat fshihen. Procesi i diskutimit për buxhetin 2010 sapo ka filluar. Ky dokument i rëndësishëm i politikave ekonomike dhe sociale meriton më shumë përgjegjësi, transparencë, më shumë debat publik. Për të nxitur sado pak këtë debat, po ndalem në disa momente të këtij buxheti.
Ekonomia.
Niveli i rritjes ekonomike i paqartë dhe i debatueshëm edhe me institucione ndërkombëtare. Të ardhurat nga emigrantët konstatohen në rënie, deficiti tregtar në rritje, deficiti i bilancit të llogarisë korente në rritje, kreditë e këqija të bankave në rritje, rënia e fitimeve të kompanive në rritje, rënia e të ardhurave në buxhet në rritje, rritja e shpenzimeve të borxheve, në rritje. Huamarrja e brendshme nga qeveria në nivele shqetësuese, duke rritur koston e kredisë në ekonomi dhe duke reduktuar financimin e sektorit privat. Ky është një set analizash për shëndetin e ekonomisë shqiptare në vitin 2009.
Transparenca e procesit e cenuar, kredibiliteti i shifrave, i dëmtuar rëndë. Një krahasim i thjeshtë i buxheteve 2009 dhe 2010 qartëson se nuk ka super buxhet, nuk ka rritje të buxhetit me 600 milionë dollarë. Kjo rritje është më pak se gjysma krahasuar me buxhetin e vitit 2009. Nëse qeveria krahasohet me mosrealizimet e 2009, kjo është shqetësuese, sepse duhen qartësuar shkaqet dhe përmasat e dështimeve të 2009 për të parë seriozitetin e projektbuxhetit të vitit 2010.
Analiza e çdo buxheti nuk janë vetëm shifrat, por impaktet e tij ekonomike dhe sociale, impakti në mbështetjen e prioriteteve të vendit dhe funksioni rishpërndarës midis grupeve shoqërore.
Të ardhurat
Sipas vetë qeverisë, viti 2009 është vit i vështirë, gati të gjithë treguesit e të ardhurave janë me mos realizim. Deri në fund të shtatorit, sipas qeverisë, janë rreth 21 miliardë lekë mosrealizim të të ardhurave dhe ndoshta deri në fund të vitit, buxhetit të vendit do t’i mungojnë rreth 330 milionë dollarë nga të ardhurat.
Efikasiteti i mbledhjes se të ardhurave nga lufta kundër evazionit, korrupsionit dhe nga mirë administrimi fiskal, sipas shifrave të vetë qeverise, duket se është afër zero.
Pra, në vitin 2009 u tentua të mblidhet 25,9 lekë taksa në 100 lekë prodhim i përgjithshëm bruto, po kaq pretendohet edhe në vitin 2010. Ndoshta ka dy arsye pse afër zero përmirësimi i mbledhjes se të ardhurave në vitin 2010. Qeveria rrit artificialisht rritjen ekonomike të vendit për të fshehur rritjen e deficitit dhe të borxhit për të cilën ka kufi limit për të mbajtur stabilitetin financiar të vendit, ose qeveria ka dështuar me “revolucionin” e saj fiskal. Një analizë më e thelluar dhe profesionalisht korrekte mbi këta tregues mund t’i qartësojë më mirë faktorët e kësaj situate.
Qeveria e mbulon një pjesë të efektit të krizës globale me çmimet e referencës në dogana dhe me taksat dhe tatimet aforfe ndaj biznesit. Çmimet dhe pagat e referencës, tatimet dhe taksat aforfe, si dhe penalitetet në rritje, nuk janë strategjia e duhur për të mbledhur të ardhurat në buxhet. Ato dëmtojnë ambientin e biznesit, dëmtojnë rritjen e ekonomike duke dëmtuar burimet e përhershme të rigjenerimit të ardhurave buxhetore.
Nga analiza e rritjes së taksimit të konsumit dhe të ardhurave personale, shifrat konkretë tregojnë qartë pse qeveria pretendon se ekonomia po zhvillohet me ritme të larta dhe pse biznesi, konsumatorët dhe pensionistët ndiejnë varfërim në rritje.
Një risk jo i lehtë për vitin 2010 do të jetë rritja e çmimit të dritave dhe tendenca në rritje që kanë karburantet dhe çmimet e mallrave jetike. Rritja e çmimeve mund ta “ndihmoje” qeverinë të mbledhë më shumë të ardhura, por njëkohësisht do të jetë një tatim indirekt mbi shtresat në nevojë. Në kushtet kur mungojnë politikat lehtësuese të mbrojtjes së shtresave në nevojë, rritja e varfërisë mund të mbetët rezultati dëshpërues i kësaj situate.
Shpenzimet
Prioritetet kombëtare të një rritjeje të qëndrueshme: arsimi, shëndetësia, bujqësia, në buxhetin e vitit 2010 nuk rezultojnë se janë prioritete buxhetore të qeverise.
Qeveria në 2005 pretendoi se do të dyfishonte mbështetjen për arsimin duke synuar rreth 6% të PBB-së, pas 5 vjetëve rritja është simbolike. Në buxhetin e vitin 2010, mbështetja për arsimin do të jetë vetëm 3,44%. Pas 5 vjetëve rritja është simbolike dhe qeveria nuk mund të pretendojë se arsimi për të është prioritet. Po të shtojmë edhe paqartësinë për reformat, problemet me tekstet, lëvizjet në stafet pedagogjike, zgjidhjen vetëm me greva të kërkesave të studentëve – dështimi është akoma më i thellë dhe më shqetësues.
Qeveria pretendoi se do ta konsideronte shëndetësinë prioritet, ajo në 2005 premtoi dyfishim të mbështetjes për këtë sektor jetik, premtoi se në mandatin e parë do të rriste mbështetjen buxhetore për shëndetësinë në rreth 5 % të PBB-së. Dështimi është i qartë, në vitin e pestë të qeverisjes se saj mbështetja për shëndetësinë do të jetë vetëm 2,31%.
Qeveria pretendoi se bujqësinë do ta kishte prioritet për rritjen, zhvillimin dhe uljen e varfërisë në zonat rurale. Ajo premtoi gjithashtu se do të dyfishonte mbështetjen buxhetore, e cila sot është ndoshta sa në vitin 2005, vetëm 0,5% e GDP. Nga ana tjetër, qeveria në ketë sektor pa politika mbështetëse, pretendon se në vitin 2009 janë vetëpunësuar rreth 26 mijë vetë.
Qeveria është e paqartë për investimet publike, ritmet e larta të saj po kthehen në nivelet normale, transporti në buxhetin e vitit 2010 do të ketë 26 miliardë lekë me pak, ose rreth 280 milionë dollarë më pak se viti i kaluar. Investimet publike kërkojnë një strategji më të qartë në këndvështrimin e tyre si pjese integrale e korridoreve të brendshme dhe lidhjen me korridoret rajonale dhe evropiane. Investimet publike duhen mbështetur më mirë me mirëmbajtjen e tyre dhe me partneritetin midis sektorit publik me sektorit privat. Copëzimi i tyre, përshpejtimi elektoral, mos mirëmbajtja e tyre, janë rrisqe në rritje për efikasitetin e taksave dhe borxheve të investuara në infrastrukturën publike.
Deficiti, borxhi, kostoja e tyre
Ekonomia shqiptare do të përballet me kontrollin e kostove të deficitit dhe borxheve. Financimi i deficitit është bërë me një kosto relativisht të lartë, nga 6.2% për 100 lekë financim deficiti në vitin 2005, në 9,3 % në vitin 2009. Rritja është e konsiderueshme po të kemi parasysh stokun e borxhit të brendshëm dhe për më tepër, mungesën e instrumenteve afatmesëm dhe afatgjatë të pagesës së tij.
Është e vërtetë që borxhi publik është i ulët në raport me vendet e tjera, siç është e vërtetë që edhe produktiviteti i ekonomisë shqiptare është i ulët përballë sfidave të ardhshme. Borxhi i dy viteve të fundit për të financuar infrastrukturën është me kosto të rëndë. Investimet e rritura vetëm në dy vitet e fundit janë mbështetur nga deficit dhe borxh publik i rritur, dhe jo nga rritja e të ardhurave. Financimi i investimeve në rritje me deficit dhe borxh të rritur, nëse nuk mbahet nën kontroll, shumë shpejt kthehet në një barrë të rendë për të mbajtur stabilitetin financiar të vendit.
Borxhi i jashtëm, vetëm për dy vjet, 2008 dhe 2009 është rritur me 700 milionë euro ose rreth 1,1 miliard dollarë. Pagesat për interesat e borxhit dhe për principalin e kredive të marra po rritën me ritme të shpejta. Nëse në vitin 2007 buxheti paguante 29 miliardë leke, në vitin 2010 do të duhet të paguajë 52 miliardë lekë, 23 miliardë lekë më shumë ose rreth 250 milionë dollarë më shumë. Pra, 250 milionë dollarë më pak për sektorët prioritare të ekonomisë.
Rritja e barrës se borxheve mund të kërkojë kontrollin më mirë të deficitit dhe borxhit, duke rishikuar taksat dhe sidomos duke kontrolluar më mirë shpenzimet. Ndoshta një harmonizim i të dyjave mund të jetë më i efektshëm si për stabilitetin financiare të vendit, ashtu edhe për ndarjen më drejt të përfitimeve të rritjes ekonomike të vendit midis grupeve shoqërore dhe midis brezave.
Nëse nuk veprohet në kohë, barra e borxheve mund ta detyrojë qeverinë në të ardhmen të reduktoje shpenzimet buxhetore, duke goditur më rëndë shtresat sociale në nevojë dhe sektorët socialë shumë të rëndësishëm për një rritje më harmonike dhe për me shumë kohezion social.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›