E Diel, 1 Nëntor 2026

"SHBA dhe Kina duhet të ndajnë barrën e lidershipit"

Në vizitën e tij të parë në Kinë, në pozicionin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama deklaroi se kinezët mbartin një "barrë lidershipi". Këtë deklaratë ai e bëri teksa u takua me Presidentin kinez, Hu Jintao, me të cilin diskutoi për çështje të ndryshme që variojnë që nga ato klimatike, bërthamore dhe çështje të tjera me një rëndësi mbarëbotërore. Ajo çka Obama i sugjeroi Kinës, që tashmë mund të konsiderohet një vend me ndikim jashtëzakonisht të madh në botë, jo vetëm për sa i përket ekonomisë, është ndërmarrja e një roli më të madh në çështjet e rëndësisë mbarëbotërore, si ajo e ngrohjes globale. Ndërkaq, ai foli edhe për çështjen e lirisë së internetit dhe lirive të tjera në Kinë. "Unë mund t‘ju them se vende të tjera në botë po presin për ne", tha Obama para një audience studentore në Shangai, qytet në të cilin ai kaloi një ditë të plotë të takimit treditor në Kinë. Më pas ai ka fluturuar drejt Pekinit për t‘u takuar me udhëheqësit e lartë kinezë dhe kryesisht për të takuar Presidentin e vendit, Hu Jintao. Ndërsa Kina po bën përpara një aktiviteti më të madh në shkallë globale, sipas Obamës tashmë barra e lidershipit global duhet të ndahet mes të dyja shteteve. Në fakt, fjalimi i Obamës para studentëve dhe të rinjve të Shangait pati një problem, atë të transmetimit të fjalimit në televizionin kinez. TV i Shangait e transmetoi atë drejtpërsëdrejti edhe pse fjalimi u transmetua edhe në internet në portale të posaçme, të cilat nuk u censuruan. Për sa i përket takimit të Obamës me Presidentin e vendit, ai u karakterizua nga një shmangie e vetëdijshme e debatit në lidhje me çështjet ekonomike, Kjo u bë për t‘i dhënë takimit një sens dhe impakt pozitiv. Me deficitin buxhetor amerikan që ka mbërritur në 1.42 trilionë dollarë, Kina është huadhënësi numër 1 i Uashingtonit, si pasojë një shtet shumë i rëndësishëm për të gjithë ekonominë amerikane në tërësi. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërmarrje të ndryshme fajësojnë monedhën kineze për sa i përket humbjes së shumë vendeve të punës gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Gjatë kësaj periudhe, hendeku tregtar i Amerikës me Kinën është thelluar. Obama është pritur në aeroportin e Pekinit nga zëvendëspresidenti Xi Jinping, me një tapet të kuq që rrethohej nga garda kineze e veshur me uniformat e festës. Gjatë vizitës ai pati takime kokë më kokë me shumë zyrtarë të lartë kinezë dhe sigurisht me Presidentin e vendit. Vetë Presidenti kinez, duke iu referuar takimit të Obamës me studentët e Shangait, e cilësoi atë "shumë të gjallë". Vetë Obama ka deklaruar se bota i njeh dhe i vlerëson siç duhet arritjet jo vetëm ekonomike të Kinës dhe marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit. Të dy liderët do të kenë edhe sot një takim më zyrtar. Obama do të kalojë në Kinë tri ditë, për të vazhduar me turneun në vendet e Azisë, në kuadrin e vizitës së parë zyrtare në këtë kontinent shumë të rëndësishëm. Për sa i përket fjalimit të Obamës para studentëve, ai ka qenë i mbushur me lavdërime në adresë të lidershipit dhe arritjeve të kinezëve, të cilat kanë të bëjnë me shkencën, historinë dhe sigurisht arritjet e jashtëzakonshme në fushën ekonomike. Por sigurisht që ai ka theksuar se Kinës i duhej një punë e madhe për të përmirësuar të drejtat e njeriut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›