Buxheti 2010, sa do të rriten pagat dhe pensionet
ADI SHKEMBI
Qeveria vendos rritjen e pagave dhe pensioneve në vitin 2010. Gazeta zbardh shifrat e miratuara pak ditë më parë në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, e cila i paraprin mbledhjes së Qeverisë, ku do të miratohet edhe projektbuxheti i vitit të ardhshëm.
Në relacionin e këtij dokumenti thuhet se rritja e pensioneve do jetë nga 7 deri në 10 për qind, ndërsa e pagave nga 4 deri në 10 për qind. Përsa i përket pensioneve, rritjen më të madhe do ta kenë ato të fshatit, pasi objektivi i qeverisë është barazimi i tyre me pensionet e qytetit brenda katër viteve të këtij mandati. Në fakt, gjatë tre viteve të fundit pensionet e fshatit kanë përfituar rritjen më të lartë të pensionit. Sipas të dhënave zyrtare, numri i pensionistëve në të gjithë vendin arrin në 520 mijë. Lidhur me pagat, rritja më e madhe do të jetë për ato të ulëtat. “Për vitin 2010 parashikohet një rritje e pensioneve në masën 7-10%, ndërkohë që rritja e pagave të punonjësve buxhetorë në masën 4-10% e diferencuar”, thuhet në relacionin e projektbuxhetit. Fondi për pagat gjatë vitit 2010 do të jetë rreth 624 milionë USD, në krahasim me rreth 572 milionë USD që ka qenë një vit më parë. Për sa i përket rritjes së pagave pensioneve, qeveria ka parashikuar një fond prej 30 milionë USD për të përballuar rritjen e tyre. Në buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar një fond i konsiderueshëm prej 12.4 miliardë lekë (rreth 138 milionë USD) si kontigjencë dhe fond rezervë. “Ky fond është i përbërë nga 2 miliardë lekë fond rezervë i Këshillit të Ministrave, i cili krijohet dhe përdoret në përputhje me ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë; 2.7 miliardë lekë kontigjencë për të përballuar efektet financiare të politikave të rritjes së pagave dhe të pensioneve dhe 7.7 miliardë lekë kontigjencë e parashikuar për ruajtjen e deficitit. Qëllimi kryesor i parashikimit të fondit të kontigjencës është i lidhur me eliminimin e riskut në procesin e zbatimit të buxhetit të shtetit”, thuhet në relacionin e projektbuxhetit. Por fondi rezervë dhe ai i kontigjencës së një viti më parë ka pasur një shumë prej 2.5 miliardë lekë më të madhe se në vitin 2010. Fondi rezervë i Këshillit të Ministrave është zvogëluar nga 2.6 miliardë lekë të reja në 2 miliardë lekë, ndërsa fondi që përballon rritjen e pagave dhe pensioneve është zvogëluar nga 7.7 miliardë lekë (85 milionë USD) në 27 miliardë lekë (30 milionë USD).