Tre derbe shqiptarësh në Evropë, fitojnë Vorskla dhe Rapidi
Ka përfunduar pa fitues dueli në Premier League-n angleze mes Lorik Canës dhe Valon Behramit. Ndeshja e shumëpritur ndërmjet Sunderland dhe Uest Ham përfundoi në barazim 2-2. Pjesa e parë ka përfunduar me epërsinë e Uest Ham, 1:2. Golat i realizoi Franko (30-të) dhe Kole (36-të) ndërsa për vendasit shënoi A.Reid (39-të). Në pjesën e dytë K. Riçardson barazoi rezultatin në 2:2, kur po luhej minuta e 76-të e ndeshjes. Ndërkohë Cana është ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 11-të dhe do të mungojë në ndeshjen e radhës që Sunderland do të zhvillojë kundër Totenhamit. Cana ka luajtur 90 minuta, kurse Behrami është zëvendësuar në minutën e 66-të. për tu theksuar është fakti se Sanderlendi luajti me dhjetë futbollistë nga minuta e 45-të kur Xhons u largua me karton të kuq. Ndërsa në fund të takimit edhe Kovaç (Uest Ham) u largua me të kuqe pasi mori dy kartonë të verdhë.
Ndërsa në derbin tjetër shqiptar për këtë të shtunë, këtë herë në Ukrainë, Vorskla e Currit, Dallkut e Januzit fitoi në shtëpi ndaj Zorja Lugansk të Parid Xhihanit (2-0). Golat për vendasit u shënuan nga Roman Bezus (1') dhe Denis Kulakov (14'). Curri, Dallku dhe Xhihani luajtën si titullarë ndërsa Ahmed Januzi nuk u aktivizua për asnjë minutë ndonëse ishte në pankinën e skuadrës së tij.
Në një tjetër derbi shqiptarësh, por në Austri Rapidi i Hamdi Salihit fitoi minimalisht ndaj Riedit të Atdhe Nuhiut. Shkodrani kthehej për herë të parë ën stadiumin ku luajti për gati tri sezone por nuk u aktivizua për asnjë minutë nga trajneri i tij Piter Pakult. Ndërsa Atdhe Nuhiu, sulmuesi që ka zënë pikërisht vendin e Salihit tek kjo skuadër luajti si titullar dhe u zëvendësua vetëm në minutën e 69-të nga Ruxherio. Rapidi luajti me 10 lojtarë që nga minuta e 56-të kur Gatler u largua me karton të kuq. Kjo gjë ndikoi edhe në aktivizimin e Salihit, teksa rezultati i ndeshjes ishte 1-0 për “miqtë”.
Në Gjermani, veç Besart Berishës, i cili u aktivizuar 4 minuta në fitoren e Arminia Bielefeldit ndaj Energji Kotbus, shqiptarët e tjerë (Hyka, Lala) nuk ishin as në pankinat e skuadrave të tyre respektive, Manzi dhe Hanover.