Super-Dinamo, poker ndaj Gramozit
Leonard Karaj
Dinamo shkatërron Gramozin, Shkumbini fiton falë një goli të Dervishit, ndërsa Flamurtari merr një pikë në Fier.
Më shumë se fitorja e pritshme e Dinamos në “Qemal Stafa”, surprizë në tri takimet e djeshme mund të quhet barazimi i Flamurtarit në Vlorë. Apolonia e Esad Karishik nuk arriti të tregohet në lartësinë e ndeshjeve të fundit duke lejuar që vlonjatët, në momentin e tyre më të keq të mund të marrin një barazim mjaft të vlefshëm në transfertë. Të parët ishin vendasit që shënuan me anë të Albert Kaçit, por vetëm 10 minuta më vonë mesfushori Artan Sakaj barazoi për Flamurtarin duke shtangur publikun e shumtë në “Loni Papuçiu”. Për tu theksur në këtë takim është fakti se vendasit kërkuan një penallti e cila u kontestua edhe nga trajneri Karishik në fund të takimit. Sipas tij rrëzimi i sulmuesit serb Mlladen Bërkiç ishte një penallti sade teksa arbitri kryesor e ndëshkoi këtë të fundit për simulim.
Ndërsa një fitore me mjaft vlera ka shënuar dje në Peqin skuadra e Shkumbinit. Një gol i shpejtë i Roland Dervishit sapo nisi pjesa e dytë e takimit rezultoi fatal për laçianët, të cilët zhvillua një ndeshje me nivel por pa mundur që të gjenin rrugën e rrjetës. Me këtë tri pikësh skuadra peqinase lë pas fundin e renditjes duke u pozicionuar në mesin e artë të Kategorisë Superiore. Ndërsa Laçi komplikon sërish pozitat e tij duke mbetur në vendin e nëntë në renditje.
Ndërkohë kryesuesit nuk e patën shumë të vështirë për të mposhtuar Gramozin, skuadër kjo që nuk po arrin ende të ambjentohet me Superligën. Një dopietë e Fajton Sefës, dhe dy gola të Bakajt dhe Gentian Muçës sigluan fitoren e radhës të bluve të kryeqytetit në kryeqytet. Për t’u theksuar ka qenë fakti se në këtë takim u dhanë edhe dy kartonë të kuq, nga një për secilën skuadër. Në fillim është larguar nga fusha e lojës portieri i Dinamos, Elvis Kotorri për një faull jashtë zonës ndaj Dos Santosit dhe në pjesnë e dytë u largua Klodian Semina, pas kartonit të dytë të verdhë.
Dinamo kryeson kampionatin me 5 pikë më shumë se ndjekësja më e afërt, Besa e cila do të luajë sot në Krujë ndaj Kastriotit. Për kavajasit takimi bëhet edhe më i vështirë teksa si rezultat kërkohen vetëm tri pikët për t’iu mos u ndarë kreut të renditjes. Nga ana tjetër edhe krutanët duken të galvanizuar. Madje presidenti i këtij ekipi, Djala ka pohuar se do të lejojë futjen falas të të gjithë tifozëve me qëllim që të ketë sa më shumë mbështetje për skuadrën e tij. Takimi tjetër i kësaj dite dhe i fundit për javën e nëntë të Superligës do të luhet në “Niko Dovana” ku Teuta e Mirel Josës do të presë Skënderbeun e Gert Haxhiut. Korçarët akne rikuperuar disa nga lojtarët kryesorë të skuadrës, të cilët nuk luajtën ndaj Dinamos për shkak pezullimesh dhe priten që të bëjnë surprizën sot në Durrës.