Ndalet Elbasani, Bylisi merr kreun e të Parës
Leonard Karaj
Elbasani ka barazuar në Gramsh duke i lënë vendin e parë Bylisit. Fiton Luftëtari, barazon Partizani.
Bylisi është rikthyer sërish në vendin e parë të renditjes, kjo falë barazimit të Elbasanit në Gramsh. Ballshiotët kanë fituar 2-0 ndaj Adës e cila nuk arrin të jetë vetvetja në transfertë. I zakonshmi Hamzai dhe Dimo kanë sigluar tri pikëshin e radhës për Bylisin. Ndërkohë Luftëtari ka sigluar fitoren më të thellë të javës teksa ka mundur në Skrapar vendasit me rezultatin 5-3. Për skuadrën e Mond Dalipit, kjo ishte humbja e pestë për këtë sezon duke komplikuar mjaft pozitat në renditje.
Ndërkohë Partizani nuk shkon më larg se një barazim pa gola, përballë Turbinës. Edhe pse në fillim ky takim mund të mendohej si i lehtë për të kuqtë, ndodhi krejt e kundërta, pasi ishte Turbina ajo që surprizoi. Partizani e kishte mundësinë që të dilte në avantazh në minutën 70-të, kur iu akordua një penallti, edhe pse dyshimtë. Mesfushori Artan Karapici nuk arrin ta realizojë atë. Duke gjykuar nga ajo çka skuadrat dhanë në fushën e lojës, barazimi nuk ishte rezultati më i drejtë, pasi Turbina tregoi me lojën e saj se, edhe mund të kishte fituar.
Një fitore të mundimshme por me vlerë ka marr dje edhe Sopoti ndaj Besëlidhjes, kjo falë një goli të Klodjan Karajt. Vetëm një ditë përpara ndeshjes, lojtarët titullarë të Sopotit kishin paralajmëruar se do ta bojkotonin takimin. Mirëpo e kundërta ndodhi, pasi dje u futën që të gjithë në fushë, edhe pse pa asnjë ditë përgatitje. Pas ndeshjes lojtarëve të Sopotit iu premtua se shumë shpejt do të likuidoheshin për rrogat e prapambetura.
Ndërsa janë mbyllur në barazime tre sfidat e tjera. Memaliaj ka ndalur Pogradecin, Kamza ka marrë një pikë në Burrel, teksa Bilisht Sporti ka ndalur Lushnjën e Banos. Të parët shënuan vendasit me anë të të përhershmit Allamani (50') dhe pas 15 minutash ishte Arbëri ai që barazoi për lagunarët. Aktualisht Lushnja ndodhet në vendin e tretë, me një pikë më shumë se Luftëtari dhe Pogradeci që kanë nga 15 pikë.