E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti 2010, si një hap i ri integrues

Kuvendi i Shqipërisë shqyrtoi këto ditë projektbuxhetin e shtetit për vitin 2010. Ministri i Financave z, Ridvan Bode, gjatë diskutimit të tij, duke përmendur objektivat kryesore që synon të arrijë ky buxhet, “…mbështetjen e prioriteteve të programit të qeverisë së integrimit europian në fushën ekonomike, shoqërore dhe të reformave institucionale…”, e renditi të parën. Shumëkush mund ta konsiderojë këtë një thënie rutinë, por tregohet plotësisht i cekët dhe cinik, nëse nuk mban parasysh faktin që kjo frazë artikulohet nga goja e një prej ministrave më të suksesshëm të qeverisë “Berisha”, i cili me aftësitë, përkushtimin dhe profesionalizimin e tij të lartë i ka dhënë këtij vendi katër buxhete faktike, shumë më potencialë e më të harmonizuar se sa projektet e tyre vjetore, ku mund tw themi me plotë gojë se çdonjeri prej tyre ka qënë një hap i hedhur përpra drejt procesit të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian. Të njëjtin trendy unë parashikojë edhe për projekt buxhetin e vitit 2010, që u shqyrtua këto ditë në Kuvendin e Shqipërisë. Të gjithë biem dakord, besojë, që në rast se buxhetet e viteve të shkuara nuk do të ishin realizuar në tregues të lartë dhe nuk do të ishin shpenzuar me efektivitet, me siguri që nuk do t’i kishim patur këto rezultate impresionuese, të cilat kemi sot, të vlerësuara si të tilla edhe nga komuniteti ndërkombëtar,. Por ajo që është më e rëndësishme të theksohet më tej lidhet me faktin se këto arritje, veçanërisht të dy viteve të fundit, janë realizuar në kushtet e një krize të rëndë financiare, të cilën shoqëria njerëzore nuk e ka parë qysh nga koha e vendosjes së rendit të ri botëror. Në disa vende të zhvilluara pati rënie absolute të të ardhurave buxhetore dhe financime të ndryshme publike për subjekte të ndryshme financiare të gjendura në prag të falimentimit. Mjafton të përmendim se, si rezultat i këtyre masave, vetëm në vitin e fundit borxhi publik i G 20-ës u rrit me të paktën 21% të PBB-së. Në vendet e Europës Qendrore e Lindore rënia ekonomike ishte e tillë, që u diktoi qeverive respektive masa drastike, deri në uljen e pagave dhe pensioneve. Ndërkohë në Shqipëri, si rezultat i reformave të ndërmarra dhe parashikimeve të studjuara buhxetore; treguesi i rritjes ekonomike në fund të 6-mujorit ishte rreth 5%, ndërkohë që në fund të vitit parashikohet të jetë të paktën dy herë më e lartë se sa ajo e vendeve europiane. Po kështu edhe treguesit e tjerë që lidhen me nivelin e inflacionit, vëllimin e investimeve, punësimin, stabilitetin e monedhës kombëtare e kështu me radhë patën zhvillime pozitive.


Në fakt, Shqipëria e ka këtë performancë pozitive në treguesit buxhetorë duke filluar nga viti 2006 e në vazhdim, qysh kur vendi filloi të qeverisjet nga demokratët. Dhe që të gjitha janë realizuar më kushte krize. Kështu nëse buxhetet e viteve 2008-2009 u realiziuan nën efektet negative të krizës botërore, buxhetet e viteve 2006-2007 u realizuan nën efektet shkatërruese të krizës së trashëguar prej qeverisjeve socialiste. Siç dihet, kur socialistët dorëzuan pushtetin në fillimvjeshtën e vitit 2005 vendi ndodhej i mbërthyer nga një krizë e përgjithëshme, e shkaktuar nga keqqeverisja e tyre tetëvjeçare, ku më e rënda ishte kriza energjitike. Buxheti i atij viti ishte hartuar e po realizohej me diferenca të theksuara, në kushtet e një korrupsioni galopant dhe një evazioni të gjerë fiskal. Mjafton të kujtojmë se Shqipëria grumbullontë në ato vite 35-40% të ardhura fiskale më pak se sa vendet e tjera të rajonit, gjë e cila do të thoshte më tej, se për këtë asrye nuk hynin në buxhetin e shtetit rreth një miliardë dollarë në vit, të cilat përbënin një rezervë të konsiderueshme të ardhurash buxhetore, nëse reformohej administrata e krimbur fiskale. Por buxheti 2005 vazhdonte t’i thellonte më tej karakteristikat e këqija, të trashëguara nga buxhetet e mëparshme të qeverisjeve socialiste, në drejtim të parashikimit të të ardhurave më pak se mundësitë, mungesës së objektivave për të shkurtuar ekonominë informale, rritjen e shpenzimeve operative me një ritëm më të lartë se sa rritja e investimeve publike, etj. Administrata shqiptare vijonte të ishte konsumatorja kryesore e të ardhurave buxhetore, deri në atë masë sa që vetëm një e katërta e këtyre shpenzimeve rishpërndahen në interes të qytetarëve dhe ekonomisë. Edhe ky buxhet ishte hartuar në përputhje me traditën e keqe të rritjes së shpenzimeve administrative në kurriz të uljes së vazhdueshme të investimeve publike. Treguesi i rritjes ekonomike ishte në nivele të ulëta. Kishte rënë në mënyrë të ndjeshme kontributi i sektorëve prioritarë në krijimin e prodhimit të përgjithshëm bruto, ishte thelluar defiçiti tregtar, ishte shtuar varfëria, që ravijëzuar më qartë polarizimi i shoqërisë dhe korrupsioni kishte arritur majat. Trashëgimi më të keqe qeverisëse se kjo nuk kishte. Në një farë mënyrë duhej të kuroje gjithëçka që të garantoje rikthimin e normalitetit. Hartimi i buxhetit të vitit 2006 iu nënshtruar, pikërisht kësaj terapie, duke parashikuar reforma kurajoze në çdo drejtim. Dhe rezultatet nuk munguan të vijnë qysh në fund të gjashtëmujorit të parë të atij viti, ku u miratua buxheti i parë shtesë në historinë e qeverisjeve shqiptare të viteve të tranzicionit. Kjo arritje spektakolare u përsërit pastaj edhe në vitet e mëvonshme.


Gjithë kjo eksperinecë e krijuar dhe gjithë këto arritje të realizuara në periudhën 2006-2009 përbëjnë bazamentin mbi të cilin është hartuar projekt buxheti i vitit 2010. Ai u përgjigjet plotësisht kërkesave që ka shtruar koha për përshpejtimin e reformave integruese të vendit tonë në Bashkimin Europian. Dihet se ekonomia edhe financat kanë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Pa rritje ekonomike dhe financa të mjaftueshme për përballimin e investimeve të ndryshme publike nuk ka progres drejt integrimit. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë që buxheti 2010 duhet të krijojë një mundësi të veçantë për të gjithë qendrat politikbërëse e vendimmarrëse të institucioneve dhe të komunitetit të biznesit, në mënyrë që të përvijohet prej tyre një strategji adekuate lidhur me përshpejtimin e objektivave dhe projekteve që do të diktojnë një progres më të shpejtë ekonomik e shoqëror të Shqipërisë në të ardhmen. Nga ana tjetër, ky buxhet tregon se ruajtja e stabilitetit makroekonomik, mbajtja e defiçitit në norma të ulta, ulja e borxhit publik, si dhe zbutja e defiçitit të llogarisë korrente, përbëjnë objektivat bazë të politikave të koordinuara monetare e fiskale të vendit tonë. PPB për frymë do të rritet me rreth 10% dhe niveli i papunësisë mendohet të ulet me 0.3% në krahasim me fundin e këtij viti. Duke diskutuar rreth kësaj çështje në Parlament u tha se, skenari bazë i kuadrit makroekonomik, bazohet në linjën aktuale të politikave makroekonomike, në kuadrin e politikave dhe reformave ekonomiko-strukturore të shpalluar në programin e ri të qeverisë së integrimit europian, si dhe në sjelljen apo bashkëveprimin e natyrshëm e racional të aktorëve ekonomikë brenda kontureve të ambientit të brendshëm dhe të jashtëm makroekonomik i vlerësuar si më i mundshmi për periudhën afatmesme në vijim. Të ardhurat buxhetore do të jenë me një rritje prej 10.6 përqind kundrejt buxhetit të rishikuar të vitit 2009. Buxheti i vitit të ardhshëm propozohet të jetë sa 32% e PBB. Qeverisja e vogël dhe në dietë, mbështetja e proceseve integruese të vendit, mbështetja e prioriteteve programore të qeverisë si dhe përafrimi me kriteret e Mastritit, përbëjnë orientimet bazë të formulimit të tij. Ashtu si dhe në buxhetet e mëparshme të qeverisë “Berisha” edhe në projektbuxhetin e vitit 2010 bie në sy mbajtja e një norme të lartë në investimet publike, e barabartë me 8% e PBB, pa përfshirë këtu investimet e pushtetit lokal me të ardhurat e veta apo përmes granteve të pakushtëzuara. Mbajtja e një norme të tillë në investime, merr parasysh si nevojën e përshpejtimit të modernizimit të infrastrukturës në të gjithë territorin e vendit për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe të integruar ashtu edhe kujdesin për të mbajtur aktiv stimujt fiskalë për ekonominë edhe gjatë vitit që vjen. Fondet për shëndetësinë rriten me 20% në krahasim me vitin 2009 dhe investimet në këtë sektor me 56%. Ndërsa në arsimin publik ato riten respektivisht me 12% dhe 32% në krahasim me vitin në vazhdim. Fondet në mbështetje të bujqësisë rriten me 22% në krahasim me vitin 2009, duke shtuar financimet për për ujitjen, programin e ullirit si dhe mbështetjen e buxheteve të familjeve e individëve për nxitjen e rritjes së prodhimit bujqësor e blegtoral. Mbështetja për rritjen e mirëqenies shoqërore, nëpërmjet rritjes së pagave, pensioneve dhe fondeve për politikat e mbrojtjes shoqërore përbën një prioritet tjetër të buxhetit 2010. Përmes këtij buxheti do të vazhdojnë të përmirësohen më tej kushtet për zhvillimin e biznesit dhe ekonomisë private duke krijuar një ambient sa më konkurrues e të liberalizuar, të çliruar nga pengesat burokratike të liçencimeve, patentave apo kontrolleve të tjera, gjë që do të ndihmojë në shfrytëzimin më të mirë të potencialeve ekonomike, njerëzore dhe kapitale që ka vendi. Buxheti 2010 i plotëson më së miri të gjitha këto kërkesa. Në tërësi ai përbën një hap të madh në fushën e ekonomisë dhe të financave që do të hidhet përpara drejt integrimit europian, vitin që vjen.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›