E Diel, 1 Nëntor 2026

Publicisti Fahri Balliu pret dy anëtarë të rëndësishëm të bordit të organizatës prestigjioze “People to People Internacional”

Themeluesi dhe drejtori i gazetës “55” si dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi” falenderoi miqtë për bashkëpunimin dhe shprehu kënaqësinë për rikonfirmimin e bashkëpunimit me organizatën prestigjioze amerikane, të themeluar nga presidenti Duajt Ajzenauer

Dy anëtarë të Bordit të “People to People International”, organizatës prestigjioze amerikane, të themeluar nga presidenti Duajt Ajzenhauer, po qendrojnë për një vizitë disaditore në Shqipëri. Joseph D. Patterson, një funksionar me përvojë të madhe në promovimin dhe zgjerimin e modeleve të reja të biznesit, si dhe Theodore R. Britton, Jr, anëtar i Këshillit të Ambasadorëve të SHBA-së, kryen të hënën një vizitë në redaksinë e gazetës “55” si dhe në zyrat e Institutit të Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi”. Themeluesi dhe drejtori i gazetës “55” si dhe drejtori ekzekutiv i Institutit “Alcide de Gasperi”, publicisti Fahri Balliu falenderoi dy miqtë e nderuar si dhe drejtuesit e tjerë të “People to People Internacional” për kontributin që kanë dhënë në promovimin e demokracisë shqiptare si dhe shprehu shpresën që organizata prestigjioze amerikane të vijonte edhe më tej vëmendjen ndaj Shqipërisë, meqë vendi ynë ishte futur tani në një fazë vendimtare të integrimeve euroatlantike. Gjatë prezantimit të vet, zoti Balliu bëri një ekspoze të historisë 12 vjeçare të gazetës “55”, një histori e shenjuar nga përpjekjet për rivendosjen e demokracisë dhe përmbushjen e standardeve, pas rrënimit që pësoi vendi me konsumimin e rebelimit komunist në pranverën e 1997-s. Publicisti Balliu u ndal më pas edhe në historinë më të re të Shtëpisë Botuese “55” si dhe të Institutit të Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi”, i cili, që nga themelimi i tij është shndërruar në një promotor të mendimit të djathtë, në një tribunë promovuese të intelektualëve që aspirojnë për integrimin sa më të shpejtë të vendit në BE. Zotërinjtë Patterson dhe Britton shprehën kënaqësinë e tyre për kontributin 12 vjeçar të publicistit Balliu në historinë e gazetarisë dhe të mendimit politik dhe rinovuan angazhimin e tyre për një bashkëpunim më të ngushtë në të ardhmen të “People to People Internacional”, jo vetëm në emrin e tyre personal, por edhe në emër të bordit të prestigjiozes amerikane.

Karriera e Joseph D. Patterson është përqendruar kryesisht në zgjerimi e modeleve të biznesit dhe aktualisht është një protagonist i “New Generation Innovation”, një kompani me famë botërore për licencimin e bizneseve të reja. Aktiviteti i z.Patterson la veçanërisht gjurmë në licencimin e bizneseve të reja në Skandinavi si dhe në Lindjen e Largët. Kurse Theodore R. Britton, Jr, ka shërbyer për vite me radhë si Ambasador i SHBA-së në Barbados, në shtetin e Grenadës, dhe si Përfaqësues Special në shtetet e Antiguas, Dominica, St Christopher-Nevis-Anguila, Shën Lucia dhe St Vincent. Ai ka dhënë një kontribut të vyer në nënshkrimin e kuadrit të marrëveshjeve bilaterale mes SHBA-së dhe Kinës (fillimisht) e më vonë edhe me Meksikën, Kanadanë, Japoninë dhe ish-Bashkimin Sovjetik. Sot ai është një kontributor i rëndësishëm, jo vetëm për aktivitetet e “People to People Internacional”, por edhe për Këshillin e Ambasadorëve, një bashkim i rëndësishëm diplomatësh, nën suazën e Departamentit Amerikan të Shtetit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›