E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i KE, për Ballkanin Perëndimor, Pierre Mirel: Opozita të mos rrijë rrugëve, por të bëjë debat politik në sallën e Kuvendit

“Debati politik në një shtet demokratik mund të bëhet vetëm në sallën e Kuvendit dhe jo në rrugë. Theksoj se në opinionin e Bashkimit Europian do të merret parasysh edhe funksionimi i Parlamentit dhe pjesëmarrja e opozitës në sallë”.


Në një kohë kur Edi Rama po përpiqet të rrisë presionin verbal ndaj qeverisë dhe strukturave shtetërore, për përshkallëzim të protestave pas 10 ditësh, ka ardhur reagimi i parë zyrtarë nga Bashkimi Evropian. Drejtori i KE-së për Ballkanin Perëndimor Pierre Mirel ka deklaruar gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zv/kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta se opozita shqiptare duhet t’i rikthehet debatit politik në sallën e Kuvendit dhe jo në rrugë, siç ka bërë deri më tani. Mirel apeloi zyrtarisht që opozita të lërë përfundimisht rrugën dhe të bëhet pjesë e sallës së Kuvendit, aty ku starton çdo sfidë e Shqipërisë drejt integrimit në BE. “Debati politik në një shtet demokratik mund të bëhet vetëm në sallën e Kuvendit dhe jo në rrugë. Theksoj se në opinionin e Bashkimit Europian do të merret parasysh edhe funksionimi i Parlamentit dhe pjesëmarrja e opozitës në sallë”, u shpreh Mirel duke i bërë thirrje opozitës të hyjë në Parlament. Mirel e konsideron jetike bashkëpunimin parlamentar në kushtet aktuale të Shqipërisë, kur vendi duhet të plotësojë sa më mirë pyetësorin e BE, në prag të sfidave të mëdha të integrimit. “Të gjitha forcat politike duhet të ndihmojnë për një përgjigje sa më të mirë të pyetësorit të BE-së”, deklaroi Mirel duke shtuar se dhe për këtë arsye që Parlamenti të kontribojë, nevojitet prezenca e opozitës në sallë. Sipas tij, përparësi për hapat e mëtejshme të Shqipërisë në BE do të jenë përgjigjet e pyetësorit duke shtuar se kjo është një sfidë për Shqipërinë, por edhe një shans i mirë për të. Ndëkaq, nga ana tjetër, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta ka theksuar se KE- do të mbështesë integrimin e Shqipërisë. Meta nënvizoi se vizita e zotit Mirel do të pasohet edhe nga vizita të tjera për një marrëdhënie më të mirë me BE-në. Ndërkombëtarët prej kohësh kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj klikës opozitare, duke bërë thirrje të vazhdueshme për ndërprerjen e bojkotit dhe rikthimin e jetës parlamentare. Vetëm pak ditë më parë, Komisioneri për Zgjerim në BE, Olli Rehn, gjatë një takimi të zhvilluar me ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, bëri thirrje për tejkalimin e ngërçit politik, duke i faturuar një shuplakë të rëndë opozitës së Edi Ramës, pasi e cilësoi bojkotin e parlamentit si jo të denjë dhe aspak formë evropiane të vepruari.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›