E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës, bastioni i fundit i langoit

“Dromologji” është një neologjizëm për të shprehur metodën e urbanistit - filozof dhe teoricien i kulturës franceze - Paul Virilio, term i cili do të thotë “shkenca (ose logjika) që merret me shpejtësinë”. Virilio, si një urbanist dhe njëkohësisht filozof, shprehet në një terminologji specifike urbanistike, se “kush kontrollon territorin (e bashkisë) e posedon atë, sikur ta kishte të vetin. Posedimi i territorit nuk është në ligje dhe kontrata, por përpara së gjithash në kontrollimin dhe menaxhimin e një lëvizje lejesh e trojesh ndërtimi”. Urbanisti francez flet për kushtet kur politika kontrollon hapësirat e ndërtimit.
Dhe kush më mirë se përvetësimi që Edi Rama, kryebashkiaku i fundit socialist i Tiranës, mund ta luajë këtë rol parësor të “grabitjes me një dromologji”, me nam e pa nishan në mes të ditës në Tiranë. Ai nuk ka një ditë që bën këtë gjë, ka plot nëntë vite me radhë, që e ka përvetësuar sloganin “edhe punoj, edhe vjedh nga pak”.
Kësisoj hyrja jonë intelektuale nuk vlen kur ke të bësh me një kullufitës të trojeve publike. Edhe pse filozofi francez nuk e ka gabim kur thotë se “katastrofa më e madhe e shekullit XXI do të jetë qyteti, kush më mirë se qyteti i Tiranës mund t’i vertetojë profecitë e lëshuara në librin ‘Qytete në panik’”. Tirana jo vetëm është një nga qytetet që të fut në panik, por para së gjithash ai të tmerron me eko-monstrat e lejuara vend e pa vend nga kryebashkiaku pa vizion Edi Rama. Ai na shfaqet përditë si një profesionist për ta fshehur pas fasadave të gjithë gjullurdinë e lejeve të ndërtimit mbi hapësirat e gjelbra. Bash aty ai ka instaluar “far-west”-in e betonarmesë, siç është ripërmendja e fundit e rastit flagrant të kompleksit “Taivan”, në ish-Parkun Rinia.
Pazaret mes “Tiranës së kryebashkiakut” dhe “hapësirave të gjelbra” faktohen me dokumente që vërtetojnë në dritë të diellit “faljen” e truallit, mikut të tij, Nik Tajvanezi. Nëpërmjet një nëpunëseje të bashkisë, e cila firmos për Edi Ramën shitjen e truallit në mes të Tiranës, mundësohet abuzimi më skandaloz e më mizor i pushtetit me pronën legjitime të qytetarëve.
Mirëpo skandali ka përmasa të jashtëzakonshme kur sheh se kontrata e shitjes për metër katror është shumë poshtë “dyshemesë” moderne 100 euro, kur vlera reale tani shkon 2-3 mijë euro. Përse Rama ta ketë shitur kaq lirë vallë këtë pronë publike? Kuptohet vetiu se diferenca midis 100 eurosh për metër katror në mes të Tiranë është abissale me standardin 2 mijë euro. Veçse të mendosh që një metër katror apartament shkon nga 700 deri në 2000 euro në mes të Tiranës, dhe jo më një tokë që do të bëhet një nga bizneset më fitimprurës për pronarin e “Tajvan”-it, i cili tani nuk duhet të përballet me importimin e hekurit nga Ukraina e Çernobilit, por me transparencën e një pasurie që s’provon dot se e meriton.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›