Buxheti 2012- Kompensimi i ish-pronarëve, fondi 1.8 miliardë lekë
Vitin që vjen fondi për kompensimin e pronarëve do të jetë 1.8 miliardë lekë, nga të cilat 300 milionë janë nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër prej 1.5 miliardë lekësh, nga fondet që krijon ALUIZNI nga arkëtimet e legalizimeve të zonave informale në vend. Ndërkaq, tek ish-pronarët është edhe kategoria e atyre që do të përfitojnë kompensim nga fondet buxhetore. Për vitin 2012 do të shqyrtohen 200 dosje, për vitin 2013, 500 dosje dhe për vitin 2014, plot 600 dosje, pra në total, 1300 dosje. Një kategori tjetër që përfiton tek ish-pronarët është edhe ajo që pret vendimin për t’iu kthyer prona apo për t’iu kompensuar kjo nga shteti. Në vitin 2012 pritet që të jepet vendimi për 700 kërkesa, për vitin 2013, për 600 kërkesa dhe për vitin 2014, janë edhe 700 kërkesa të tjera, pra një total prej 2 mijë kërkesash. Qeveria shqiptare u ka detyrim pronarëve shqiptarë 50 mijë ha tokë bujqësore, sipas vendimmarrjeve deri në fund të 2007-ës. Dhe veç kësaj, ka një detyrim prej 6489 ha tokë truall. Sikur të ecë me këto ritme, do të duhen edhe 650 vite për të kompensuar 6489 ha truall, për të mos thënë për 50 mijë ha tokë bujqësore.