Kthimi i emigrantëve forcon lekun me 1 pikë
Dje në tregun e lirë të valutës një euro ka kushtuar 137.4 lekë, nga më shumë se 138.7 lekë që ishte në fund të javës që lamë pas. Shkak është rritja e ofertës për euro si rezultat i kthimit të emigrantëve për festa
Festat e fundvitit kanë forcuar monedhën vendase, lekun. Dje në tregun e lirë të valutës një euro ka kushtuar 137.4 lekë, nga më shumë se 138 lekë që ishte në fund të javës që lamë pas. Ekspertë në agjencitë e këmbimit valutor shpjeguan se forcimi i lekut ka si shkak rritjet e prurjeve në valutë nga kthimi i emigrantëve për festat e fundvitit. Një fenomen i kthyer tashmë në traditë në këtë periudhë. Festat e fund vitit shoqërohen me ardhjen në Shqipëri të mijëra emigrantëve, të cilët sjellin me vetë një sasi të konsiderueshme valute. Mirëpo monedha vendase është treguar superiore ndaj euros përgjatë gjithë këtij muaji, për shkak të krizës që po kalon eurozona. Rritja e ofertës në euro rrit kërkesën për lekë dhe për rrjedhojë ndikon në mbiçmimin e tij. Ekspertët në agjencitë e këmbimit shpjegojnë se kështu ndodh zakonisht gjatë sezonit veror dhe festës së Vitit të Ri, kur emigrantët kthehen pranë vatrave familjare duke sjellë edhe një sasi të konsiderueshme vlerash monetare, të cilat kanë ndikime pozitive në ekonominë e vendit. Të njëjtat burime lajmërojnë një forcim të mëtejshëm të vlerave të lekut në këmbim me euron deri në ditët e para të janarit. Është vlerësuar se nga popullsia e përgjithshme e Shqipërisë prej 2.8 milionë banorësh, 1.2 milionë kanë emigruar në Greqi dhe Itali, si dhe në vende të tjera. Sipas INSTAT-it, më shumë se 26 për qind e familjeve shqiptare kanë pjesëtarë të tyre që punojnë jashtë shtetit. Dollari, euro dhe paundi janë po aq familjarë sa edhe leku për familjet shqiptare e kjo për shkakun se të ardhurat kryesore të buxheteve të tyre janë nga emigrantët. Kjo shtresë ka sjellë në vendin tonë, të paktën mbas viteve 1990, një vlerë të përafërt që përkon me rreth 14 miliardë dollarë. Për shumë familje emigracioni është burimi i vetëm i të ardhurave dhe vit pas viti është shndërruar në një nga themelet ku është mbështetur ekonomia shqiptare. Në sezonet kur emigrantët vijnë në Shqipëri, përveç tregut të këmbimit ndikohen edhe disa tregje të tjera, si tregu imobilar. Emigrantët vitet e fundit po preferojnë gjithnjë e më shumë të blejnë shtëpi e për pasojë kanë ndikuar edhe në rritjen e vlerës së tyre. Blerja e shtëpive shihet edhe si një formë investimi e kursimeve të tyre. Forcimi i vlerës së lekut në këtë periudhë ndikon pozitivisht në frenimin e rritjes së çmimeve për artikujt që shiten në lekë. Por rënia e lekut stimulon eksportet ndaj vendeve që përdorin euron si monedhë, ndërkohë që i bën më të shtrenjta importet nga vendet e euros. Tregu i këmbimit në vendin tonë është i ndjeshëm karshi faktorëve sezonalë. Dërguesit dhe marrësit deklarojnë se përdorimi kryesor i dërgesave të emigrantëve është mbulimi i nevojave të familjes. Më pas vjen ndërtimi, rregullimi dhe mobilimi i shtëpive; dhe më pas investimet në prona të patundshme si kategoria tjetër primare. Megjithëse është padyshim i rëndësishëm për zbutjen e varfërisë, ky fakt nënkupton që ato kanë një rol shumë të kufizuar në nxitjen e punësimit. Për periudhën janar-shtator 2007, prurjet e emigrantëve vlerësohen në nivelin 711 milionë euro, ose 18 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë