E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregjet financiare nuk do te rrezohen ne 2012

Ministri gjerman i Financave Wofgang Shojble, ka përjashtuar rrëzimin e tregjeve financiare në vitin 2012. Në një intervistë për mediat gjermane, Shojble ka thënë se kriza europiane e borxheve sovrane, nuk do të shkaktojë një krizë financiare globale.
"Mendoj se situata është e kontrollueshme. Në Bashkimin Europian ka vendosmëri të mjaftueshme në mesin e anëtarëve për të kontrolluar këtë situatë”, ka thënë Shojble në intervistë. Sipas kryefinancierit gjerman, BE-ja është e vendosur në ruajtjen stabël të situatës. Ai shpreh bindjen se Europa vitin e ardhshëm do të miratojë të ashtuquajturën “tobin taks” apo taksën mbi transaksionet financiare. Nëse taksa për transaksionet financiare nuk do të miratohet për Bashkimin Europian, do të hyjë në fuqi për vendet anëtare të Eurozonës. Kuadri ligjor për miratimin e saj pritet të përfundojë dhe të publikohet në muajin janar. Sipas Komisionit Europian, kjo taksë do të rrisë të ardhurat me 57 miliardë euro në vit. Sipas propozimeve, taksa financiare është 0.15 në tregtinë e bonove dhe të stoqeve dhe 0.01% në tregtinë e derivateve. Ai ka kërkuar më shumë qetësi nga tregjet, duke thënë se “pavarësisht lëkundjeve të pritshme përgjatë vitit, situata nuk do të ndikojë negativisht në performancën e ekonomisë”.
Ai është shprehur i bindur edhe në rifitimin e besimit të investitorëve, duke thënë se "Europa është një nga rajonet më të forta ekonomike të botës dhe investitorët pozicionohen aty ku garantohet fitimi”.
Në intervistë, Shojble ka ripërsëritur opinionin se vendet me probleme financiare duhet të realizojnë reformat strukturore, për të rindërtuar konkurrueshmërinë e vendeve të tyre. Madje ai ka shtuar se “është koha për të ndërtuar një qeveri ekonomike të përbashkët në Europë”.
Ministri gjerman i financave ka një rol primar në përpjekjet për të zgjidhur krizën e borxhit në Eurozonë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›