Legalizimet, 800 milionë lekë këtë javë për 2400 ish-pronarë
Drejtori i AKKP, Elvis Cefa tha se këtë javë do të shpërndahet fondi prej 800 milionë lekësh ndaj 2400 ish-pronarëve. Shuma është grumbulluar nga legalizimi i banesave
Ish-pronarët, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet informale, do të marrin këtë javë edhe një këst tjetër nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Lajmin e ka dhënë dje për mediat drejtori i AKKP-së, Elvis Cefa, i cili ka sqaruar se shuma që do të shpërndahet është 800 milionë lekë dhe prej saj do të përfitojnë rreth 2400 pronarë, të cilët tashmë kanë dorëzuar kërkesat. Cefa tha se kësti që do të shpërndahet përbën rreth 10 për qind të vlerës totale për këta ish-pronarë, duke sqaruar se deri më tani fatura e kompensimit për këtë kategori mbulon 37 për qind. Ai ka theksuar se gjatë këtij viti janë shpërndarë për këtë kategori 1.3 miliardë lekë. Javën që shkoi AKKP aktivizoi fondin prej më shumë se 500 milionë lekësh ndaj 2300 pronarëve. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pas 31 dhjetorit 2011 nuk ka më tagër ligjor të merret me këtë proces, sepse mbaron si afat kohor ligjor. Që nga data që ka dalë për herë të parë ligji 92/35 për kthimin dhe kompensimin e pronave, deri tani është amenduar katër herë ligji për të shtyrë afatin e përmbylljes së këtij procesi. Ndoshta ky afat do të shtyhet për herë të pestë, por është një proces që do t’i takojë 2012-ës. Në një intervistë për gazetën MAPO, një ditë më parë kreu i shoqatës “Pronësi dhe drejtësi”, Myrshit Vorpsi deklaroi se shteti shqiptar akuzoi qeverinë se ka përdorur fondin për kompensimin e ish-pronarëve në procesin e legalizimeve. Sipas Vorpsit, edhe procesi i legalizimeve ka dështuar. Sipas tij, janë minimalisht 10 mijë dosje të pashqyrtuara nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ndërsa ka plot 3 vjet që pronarët me ligj nuk kanë të drejtë në rrugë administrative të bëjnë kërkesë për kthimin dhe kompensimin e pronës. Edhe pse ky afat ka përfunduar ligjërisht, por ekziston ai shteg ligjor që me vendim gjykate pronarët të bëjnë kërkesë, ka tre vjet që Agjencia nuk e ka realizuar detyrën e saj. Ndërsa Agjencisë së Kthimit të Pronave i ka përfunduar afati i kompensimit, janë edhe 8 dosje gjendje. Janë shqyrtuar 1 mijë, ndërkohë që janë rritur 3 mijë të tjera përmes rivendosjes në afat apo dosje të tjera që kanë qenë gati për vendimmarrje, por për shkak të shkrirjes së agjencive ato nuk kanë përfunduar. Legalizimet, si një nga proceset më të diskutuara jo vetëm nga qeveria, por edhe nga institucionet ndërkombëtare, zënë një vend të rëndësishëm në programin buxhetor afatmesëm 2012-2014. Kështu, nëse për vitin 2011 parashikohej që të përmbushej synimi i legalizimit të 55 për qind të pasurive informale, pritshmëria për vitin e ardhshëm është edhe më e lartë. Në detaje shpjegohet se nga 50 mijë pasuri informale të vetëdeklaruara, për të cilat është në përpunim e sipër informacioni tekniko-ligjor, në fund të vitit 2012-ës parashikohet që të ketë përfunduar legalizimi i 85 për qind të këtyre pasurive. Në vitin tjetër, 2013, parashikohet që procesi të mbyllet në total i gjithi me 100 për qind të pasurive të legalizuara. Praktika e ndjekur deri tani nga ALUIZNI për ata që janë në tokën e ish-pronarëve ka qenë ajo e legalizimit përmes pagesës së truallit, ndërkohë që është edhe një tjetër kategori që ka ndërtuar në tokën e vet, por që rezulton si një ndërtim informal.
Cefa tha se kësti që do të shpërndahet përbën rreth 10 për qind të vlerës totale për këta ish-pronarë, duke sqaruar se deri më tani fatura e kompensimit për këtë kategori mbulon 37 për qind.
Prona e zënë, ja si procedohet
Kompensimi për ish-pronarët, pronat e të cilëve janë zënë nga banesat informale, bëhet për pronën e llojit truall në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Masa e kompensimit është sipas kësaj skeme: Për pronat e njohura për kompensim deri në 1 500 (njëmijë e pesëqind) m2, masa e kompensimit është 200 (dyqind) m2. Për pronat e njohura për kompensim mbi 1 500 (njëmijë e pesëqind) m2 deri në 3 000 (tre mijë) m2, masa e kompensimit është 300 (treqind) m2. Për pronat e njohura për kompensim mbi 3 000 (tre mijë) m2 deri 5 000 (pesë mijë) m2, masa e kompensimit është 400 (katërqind) m2. Për pronat e njohura për kompensim mbi 5 000 (pesë mijë) m2 deri në 10 000 (dhjetë mijë) m2, masa e kompensimit është 500 (pesëqind) m2. Për pronat e njohura për kompensim mbi 10 000 (dhjetë mijë) m2, masa e kompensimit është 600 (gjashtëqind) m2. Sipas AKKP-së, aplikuesit apo përfaqësuesit me prokurë kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2 000 lekë dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë në të cilën në rast përfitimi do të depozitohet shuma që përfitohet. Subjektet e shpronësuara duhet të paraqesin pranë AKKP-së kërkesën dhe deklaratën ‘tip’, të plotësuara sipas rubrikave. Titullin për njohjen dhe kompensimin e pronës, që sipas rastit mund të jetë vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit apo Kompensimit të Pronave, si dhe vendim i gjykatës në rastet kur vendimet e sipërcituara janë ndryshuar në rrugë gjyqësore; Planvendosjen e vendimit, si dhe planin e rilevimit të pronës së njohur për kompensim në fragmentin e hartës treguese të regjistrimit të pasurive.