Përjashtimi nga PS? Islami: Nuk kam njoftim zyrtar
Kryesia e re e PS-së brënda pak minutash është përballur dje me dy situata të cilat njëra ka marrë zgjidhje, ndërsa tjetra pret zyrtarizimin. Nëse Rudina Seseri e ka lënë zyrtarisht mandatin për t`ju kushtuar jetës së biznesit në SHBA, Kastriot Islami ende nuk e di qartë se nën kë sigël do të mbajë mandatin e deputetit.
Lajmi për përjashtimin e tij nga grupi socialist ka sjellë debate të forta në politikën shqiptare dhe reagimet nuk kanë munguar kryesisht në rrjetet sociale,ku edhe ka pasur komentet më të shumta. Megjithatë përtej këtyre debateve nga selia rozë ende nuk ka dalë asgjë zyrtare edhe pse një çështje e tillë në kryesi është diskutuar.
Vetë Islami fillimisht në internet e më pas edhe në linjë telefonike ka konfirmuar se nuk ka asnjë komunikim nga partia e tij, për një përjashtim të mundshëm. "Unë s`kam marrë asnjë njoftim dhe nga kryesia nuk më ka ardhur asnjë komunikim për një përjashtim të mundshëm", ka deklaruar Islami.
Nga ana tjetër edhe selia rozë zyrtarisht nuk ka komunikuar për median një lajm të tillë duke mos konfirmuar lajmin e dalë rrufeshëm në të gjitha mediat e vendit. As vetë kundërshtarët e përfolur në kryesi të përjashtimit të Islamit nuk kanë bërë komente rreth kësaj çështje duke pritur ndoshta edhe vendimin zyrtar të grupit socialist.
Një prej pjestarëve të ashtuquajturës “lëvizja për mendimin ndryshe” në selinë rozë, Andis Harasani pas daljes së lajmit është mjaftuar me një koment të shkurtër në Facebook:” Juda puthte bukur”, por pa zgjeruar më tej thënien e tij.
Megjithatë deri të hënën pritet të ketë diskutime të ndryshme rreth kësaj çështje për të ardhur tek qëndrimet zyrtare me fillimin e javës së re. Gjithsesi vetë Islami para se të hedhë hapin e tij në rrethanat e reja do të duhet të presë zyrtarisht vendimin e partisë së tij, nëse do të mbetet e tillë edhe në ditët e fundit të vitit.