Buxheti 2012, Berisha: Shqipërinë 100-vjeçare ta paraqesim si nuse
Kryeministri Berisha ka bërë sot në Kuvend mbrojtjen e buxhetit për vitin e ardhshëm, duke e cilësuar si buxhetin që ka në epiqendër familjen shqiptare.
Rritja e rrogave dhe pensioneve është politikë e kësaj qeverie, politikë e paprecedent në Shqipëri. Rroga minimale dhe pensioni minimal janë rritur me 120 për qind. Kjo është fatura e kësaj qeverie për të mbrojtur fytyrën e saj njerëzore. Ky është vendi i vetëm në rajon që ka ulje të papunësisë, u shpreh Berisha.
Mes krahasimeve të shifrave me ato të vitit 2005, kryeministri Berisha ka sulmuar herë pas here deputetët e opozitës, duke i cilësuar si pengues të reformave të qeverisë.
Ju keni sindromën e tunelit në raport me buxhetin. Tuneli po përfundon, por ju jeni në pjesën e errët. Buxheti garanton stabilitetin makro-ekonomik të vendit. Ky buxhet para së gjithash, takimin e parë të tij ka atë me qytetarin shqiptar. Ka vendosur në epiqendër familjen shqiptare. Ju u thoni shqiptarëve se ka 1 milion të papunë. Ky është nihilizmi më ekstrem sepse po të rrini sa në PS, Parlament, Sheraton e Rogner, dhe nuk shihni hallet dhe dertet e shqiptarëve. I garantoj shqiptarët që sa kohë që ata votojnë këtë qeveri, do të bëjmë gjithçka për shpërndarjen sa më të drejtë të të ardhurave të tyre, tha Berisha.
Sipas Berishës, projektbuxheti i vitit 2012 ka për qëllim ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik të vendit, duke rritur rrogat e pensionet e njëkohësisht duke përmbushur 125 projektet e 100-vjetorit të pavarësisë. Ky buxhet guxon dhe do të rrisë rroga e pensione, duke e bërë Shqipërinë ndoshta vendin e vetëm që merr një vendim të tillë. Ne nuk injorojmë krizën, por krahas stabilitetit makroekonomik do të bëjmë gjithçka që të dërgojmë para çdo muaj në llogaritë e familjeve të 800 mijë shqiptarëve.
Një tjetër qëllim i buxhetit: Shqipëria në 100-vjetorin e saj do të jetë Shqipëria dixhitale. Ky buxhet ka për mision që Shqipërinë 100-vjeçare ta paraqesë një nuse të vërtetë para shqiptarëve, tha kryeministri në Kuvend.
G.N. / Redaksia Online
* * *
Projektbuxheti i vitit 2012 po diskutohet sot në Kuvend në një seancë të posaçme. Projektbuxheti vitit 2012 është diskutuar dy javët e fundit në komisionet parlamentare, ku ka pasur debate mes deputetëve të opozitës dhe atyre të maxhorancës.
Sipas deputetëve të opozitës, projektbuxheti i vitit 2012 nuk merr parasysh nivelin e lartë të borxhit publik dhe bën një ndarje politike të fondeve që i jepen qeverisjes lokale.
Ministri i Financave, Ritvan Bode, është shprehur se ai garanton ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik dhe mbajtjen e borxhit publik nën kufirin e lejuar.
Disa ditë më parë, Banka Botërore, në raportin e saj mbi Evropën Juglindore theksonte se Shqipëria është vendi me borxhin më të lartë publik në rajon.