E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2012/ Noka Vend te rendesishem investimet ne infrastrukture

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave shqyrtoi të enjten në mbrëmje, buxhetin e vitit 2012 për Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit.

Zëvendësministri i MPPT-së, Ernest Noka theksoi se "MPPT vazhdon të përfitojë pjesën më të madhe të fondeve të parashikuara për investime publike". Sipas tij, për vitin 2012 do të përfitojë 38.5 miliardë lekë ose rreth 55.2% të totalit të investimeve publike.

"Në buxhetin e vitit 2012 parashikohet që 32.7 % e investimeve publike të jenë investime me financim të brendshëm. Në të njëjtën kohë, ajo zë edhe pjesën më të madhe të financimit të huaj (rreth 61.12% të totalit) kryesisht me projekte për ndërtim rrugësh", theksoi Noka.
Këto fonde, sipas Nokës, do të shërbejnë për ndërtimin dhe rehabilitimin e 80 km rrugë të rrjetit kombëtar, sistemim asfaltim dhe riveshje të 27 km rrugë, si dhe përmirësimin e gjendjes së infrastrukturës hekurudhore.

Ndër të tjera, Noka theksoi se gjatë vitit që vjen do të bëhet i mundur edhe përfundimi i ndërtimit të venddepozitimit për mbetjet e ngurta në Qarkun e Shkodrës, i cili do t'i shërbejë një popullsie prej 250.000 banorësh.

"Zgjerimi dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të furnizimit me ujë nëpërmjet mbulimit me rrjet ujësjellësi në zonat urbane në 92%, të totalit të popullsisë dhe në zonat rurale në 64% është një tjetër objektiv", tha Noka.

Deputetët e opozitës akuzuan MPPT-në për ritëm të ulët të punimeve në akset kryesore rrugore. Ata theksuan gjatë debatit se, një pjesë e madhe e akseve rrugore, si Levan-Vlorë, Plepa-Rrogozhinë, ende nuk janë mbyllur pavarësisht se në kontratat e tyre duhet të kishin përfunduar. Në këtë drejtim, zëvendësministri Noka informoi deputetët se këto akse rrugore janë parashikuar të mbyllen vitin që vjen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›