Buxheti 2012, financat nisin konsultimet me institucionet
Ministria e Financave ka filluar shqyrtimin e kërkesave të dikastereve të ndryshme për buxhetin e vitit 2012. Burime konfidenciale, bëjnë të ditur se, kërkesat e këtyre institucioneve për buxhetin e vitit të ardhshëm janë më të larta se buxheti i këtij viti. Prej fillimit të muajit shtator po punohet për hartimin e buxhetit të vitit 2012, ndërkohë që javën e ardhshme do të bëhen takimet dypalëshe me ministritë e linjës dhe institucionet e tjera, në mënyrë që të koordinohen tavanet e buxhetit me projektet e paraqitura. Negociatat pritet të zgjasin deri më 19 shtator, e më pas do të nisë faza e shqyrtimit të dokumentacionit të mbledhur me pretendimet e çdo institucioni. Drafti përfundimtar parashikohet të jetë gati në fillim të muajit tetor. Më pas, projektbuxheti do të kalojë në Qeveri dhe më tej në Parlament, ku priten debate të forta mes forcave kryesore politike. Buxheti 2012 do ta marrë çertifikimin e fundit nga Presidenti i Republikës, i cili ka të drejtën e dekretimit dhe më pas, botimi në Fletoren Zyrtare. Pra, i gjithë procesi parashikohet të mbyllet deri në fillim të muajit dhjetor.