E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria rinis dhënien e koncensioneve për HEC, dje 7 leje të reja

SHKRUAN: Sabina Veizaj 08-09-2011 11:34

Rikthehet edhe një herë historia e shumëpërfolur e Hidrocentraleve në vend. Kryeministri Berisha, dje gjatë mbledhjes së radhës së qeverisë ka miratuar përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncension të 7 hidrocentraleve që është Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës, gjithashtu edhe shoqëritë që përfitojnë nga bonusi prej 2% të pikëve të shumës totale për rezultatin teknik dhe financiar në procedurën konkurruese përzgjedhëse për dhënien me koncension të këtyre hidrocentraleve. Janë 7 hidrocentrale që do të jepen me koncension të formës “BOT” që presupozon ndërtimin, operimin dhe transferimin. Janë hidrocentralet, Batra Nr1, Nr2, Nr3, Zerec 1, Blicë, Straveckë 1 dhe Straveckë 2 ,. Qeveria vendosi dje gjithashtu miratimin e bonusit prej 2 % të pikëve, për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse për dhënien me koncesion të këtyre hidrocentraleve, përkatësisht shoqërive: “K.E.A”, sh.p.k për hidrocentralet Batra Nr1, Nr2 dhe Nr3, shoqërisë “Korça ndërtim - prodhim - A”, sh.p.k. për hidrocentralin ‘Zerec1”, shoqërisë “Sufa”, sh.p.k. për hidrocentralin Bllicë, shoqërisë “Realty & Energy”, sh.p.k. për “Straveckë 1 dhe 2” . Është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në procedurën konkurruese për dhënien me koncesion të hidrocentraleve të sipërpërmendur që do të pranojë oferta për të gjithë pjesën e lirë të skemës, ku përfshihet ndërtimi i këtyre hidrocentraleve. “Po ta cilësonim mbledhjen e sotme të qeverisë, do ta quanim mbledhja e energjisë. Rendi i ditës ka vendime për hidrocentrale të reja që janë përgatitur nga ministria e Ekonomisë dhe AKBN dhe jepen bonuset për t’u nxjerrë në tender. Edhe ky është një nga zhvillimet më pozitive të këtyre viteve. Shumë i rëndësishëm është fakti se, vazhdon të jetë i lartë interesi për ndërtimin e tyre. I rëndësishëm është gjithashtu, fakti se studime intensive po bëhen në të gjitha ujërat e vendit, që përfaqëson një Norvegji të vogël në Ballkan. Vitin e kaluar Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon me rritje të investimeve dhe të mos harrojmë se investimet e vjetshme nuk kanë pasur lidhje me privatizimet, të cilat hynë edhe ato tek investimet e huaja.”- është shprehur kreu i qeverisë në mbledhjen e djeshme. Sipas tij, të gjitha investimet prej 1 miliardë e 97 milionë, përveç 30 milionëve të një licence, kanë qenë të gjitha investime. “Edhe shumë më të mëdha kanë qenë investimet direkt të qytetarëve shqiptarë. Ndaj përpjekja jonë për t’i shndërruar në vlera e të mira për qytetarët shqiptarë, për t’i shndërruar në energji elektrike, të ujërave që derdhën pa vlerë në det, vetëm sa hollojnë kripën e detit, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ne duhet të bëjmë gjithçka që asetet e pasuritë tona t’i shndëreojnë në vlera për qytetarët,” tha Kryeministri, në prezantimin e vendimeve për dhënien me koncension të hidrocentraleve. Në të njëjtën kohë, sipas të dhënave të METE-s në Shqipëri brenda këtij viti pritet të jenë funksionalë dhe 14 hidrocentrale të vegjël me një fuqi të instaluar mbi 50 megavat. Gjithashtu janë dhe disa kontrata të tjera në negocim, ndërkohë që rreth 300 HEC e lokalë janë në punë. Aktualisht, funksionojnë 287 hidrocentrale, shtetërorë, privatë e me koncension, nga të cilat 8 të mëdhenj e 269 me kapacitet nën 15 megavat.

Lista e hiodrocentraleve

Batra Nr1, Nr2, Nr3

Zerec 1

Blicë

Straveckë 1 dhe Straveckë 2

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›