Kufiri i regjistrimit në QKR për SHA-të rritet me 1.5 mln lekë
Rritja e kapitalit për shoqëritë tregtare nga 2 milionë, në 3.5 milionë lekë u vendos dje nga qeveria. Biznesit i jepet një vit kohë, ndryshe nisin procedurat e falimentit
Qeveria ka rritur dje kapitalin themeltar për shoqëritë tregtare me ofertë private nga 2 milionë lekë të reja në 3.5 milionë lekë të reja. Kjo do të thotë se, këto shoqëri nuk mund të regjistrohen në QKR poshtë këtij kufiri. Vendimi është marrë dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave ku sanksionohet se, “shoqëria aksionare me ofertë private nuk mund të ketë një kapital më të vogël se, 3 500 000 lekë.” Në ligjin aktual ky kufi ishte 2 milionë lekë. Vendimi i qeverisë sqaron se, shoqëritë aksionare ekzistuese, me ofertë private, që janë themeluar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të detyruara të përfundojnë procedurat për regjistrimin e rritjes së kapitalit, të paktën deri në 3.5 milionë lekë brenda 1 viti pas hyrjes në fuqi të tij. Ndërsa shoqëritë aksionare ekzistuese, me ofertë private, të cilat nuk përmbushin detyrimin për të rritur kapitalin vlerësohen të prishura dhe çregjistrohen nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, pas përfundimit të procedurës së zbatueshme të likuidimit. Rritja e kapitalit për shoqëritë tregtare nga 2 milionë, në 3.5 milionë lekë gjykohet nga ekspertët e Ministrisë së Ekonomisë si mjet i duhur që forcon biznesin në raport me bankat dhe planin e tij për investime. "Rrit mbrojtjen e kreditorëve nga ato sha me ofertë private, të cilat pavarësisht zbatimit të parimit të ‘heqjes së vellos së korporatës’ (në rastin më të keq), nuk kanë aftësi pagese ndaj kreditorëve të tyre, dhe rritja e kapitalit minimal të këtyre shoqërive do t’i bënte ata më të sigurt në një vlerë më të lartë", - thotë një zyrtar i ministrisë, i cili ishte pjesë e grupit të punës. Ekspertët e ministrisë gjykojnë se, ligji nuk do të ushtrojë efekte mbi biznesin e vogël. "Duke qenë se sektori i biznesit të vogël e ushtron veprimtarinë e tij tregtare, në praktikë, në formën e personit fizik (sipas ligjit të QKR-së), shoqërisë së thjeshtë (sipas Kodit Civil), Shoqërisë Kolektive, Shoqërisë Komandite ose SHPK-së, ky projektligj nuk ka asnjë ndikim tek këto biznese", - shprehet specialisti. Grupi i punës përbëhej nga katër anëtarë dhe e kanë ushtruar zbatimin e projektit për disa muaj. Institucioni që do të merret direkt me zbatimin e ligjit të ri është Qendra Kombëtare e Regjistrimit, e cila do të marrë në konsideratë kapitalin minimal të nevojshëm të atyre që do të duan të krijojnë SHA me ofertë private, por edhe të atyre SHA-ve ekzistuese, të cilat do të duhet që brenda një vitit të përshtatin organizimin dhe funksionimin e tyre në lidhje me kapitalin minimal, brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ministria thotë se, synimi i projektligjit është të ofrojë një kuadër ligjor bashkëkohor, të qartë dhe të përditësuar, në përputhje të plotë me direktivat e BE-së për shoqëritë tregtare. Objektivat që kërkon të arrijë janë zbatimi i legjislacionit të BE-së për shoqëritë tregtare dhe përmbushja e kërkesave të MSA-së, si dhe kërkesave te tjera që burojnë nga zhvillimi ndërkombëtar në këtë fushë. Shoqëritë tregtare themelohen nga dy ose më shumë persona fizikë dhe juridikë, që bien dakord për arritjen e objektivave ekonomikë të përbashkëta, duke dhënë kontribute në shoqëri, sipas përcaktimeve në statutin e saj. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqëritë aksionare mund të themelohen edhe vetëm nga një person fizik. Shoqëritë tregtare detyrohen të regjistrohen në QKR.