E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2012, në Kuvend debati në parim

TIRANË- Projektbuxheti i shtetit për vitin 2012 do të diskutohet në parim, gjatë seancës së posaçme plenare, e cila është parashikuar të zhvillohet sot.

Përgjatë dy javëve të gjitha komisionet e përhershme të Kuvendit kanë diskutuar në parim p/buxhetin e shtetit.

Bode
Gjatë prezantimit në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit, Ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi se p/buxheti i shtetit për vitin 2012 synon ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, inflacionin në nivelet rreth 3 %, një borxh publik brenda kufirit prej 60 % si dhe rritje ekonomike rreth 4.3 %.

"Projektbuxheti i shtetit për vitin 2012 bazohet në disa shtylla dhe në një analizë realiste të ecurisë së zhvillimeve gjatë periudhës së krizës ekonomike globale, bazohet në tendencën e fundit dhe pritshmërinë për vitin 2012 që vendet e eurozonës programojnë", deklaroi Bode.

Sipas tij, për shkak të krizës globale 2009-2011 ekonomia shqiptare ka ndjerë presionet e pandërprera të krizës më të thellë prej mëse një shekulli. Ai theksoi se p/buxheti do të mbështesë edhe politikat e qeverisë, rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet në infrastrukturë, duke bërë të mundur zhvillimin ekonomik.
"Përtej këtij presioni, ekonomia shqiptare ka mundur të ruajë parametrat e saj në nivele të kënaqshme. Vijoi të rritej me një rritje mbi 3 % kundrejt një rritje mesatare në Europën Qëndrore dhe Lindore prej 0 %", tha kreu i financave publike.

Totali i të ardhurave parashikohet me një rritje prej 8 %, ose 356 miliardë lekë, me një rediment fiskal prej 25.5 % të PBB-së. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohen 251 miliard lekë. Të ardhurat nga fondet speciale do të kenë një ritëm rritje me 5.6 % . Shpenzimet e buxhetit të shtetit parashikohet të jenë në parametrat që të mundësojnë një defiçit jo më shumë se 3 %. "Do të jenë 397 miliardë lekë ose 28.5 % e PBB-së, ç'ka përbën një kompletim të fizionomisë së një qeverisje të vogël", nënvizoi Bode.
Bode bëri të ditur se objektivat do vazhdojnë të jenë rritja e pagave dhe pensioeneve, mbështetja me rreth 5 % e PBB-së e investimeve publike, duke ruajtur nielin më të lartë të investimeve publike në hapësirën e vendeve të Europës. Shpenzimet e sigurimeve shoqërore vijojnë të mbeten të larta e të pasqyrojnë politikën për rritjen e pagave dhe pensioneve.
Në këtë drejtim, Bode parashtroi nevojën e ndërmarrjes së një reforme më të gjerë, ndërsa ftoi edhe opozitën për mbështetje për realizimin e saj.
Opozita
Por opozita tashmë ka deklaruar votën kundër këtij projekti të qeverisë. Vetëm dy ditë më parë Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, se kriza ekonomike ka prekur palcën e ekonomisë kombëtare dhe familjare. Kreu socialist paralajmëroi një debat të fortë në Parlament për buxhetin e vitit 2012 nga deputetët socialistë, duke dhënë alarmin se efektet e krizës do të jenë shumë të mëdha për vendin. "Ne Grupi Parlamentar i opozitës në qasjen tonë largpamëse duhet të vëmë alarmin fundor në debatin për projektbuxhetin. Nesër do të jetë shumë vonë dhe kostot e rimëkëmbjes do të jenë të papërballueshme për një kohë të gjatë", u shpreh Rama.

(d.b/ATA/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›