E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, përleshje në protestën kundër taksës shtesë mbi pronën

ATHINE - 15 persona, 10 sindikalistë dhe 5 qytetarë u arrestuan sot në mëngjes nga policia, gjatë incidenteve në tubimin e punonjësve të sindikatës së koorporatës energjitike dhe punonjësve të qendrës kompjuterike. Në mesin e të arrestuarve është presidenti i federatës Nikos Fotopoulos.

Gjatë protestës pati përleshje mes sindikalistëve dhe policisë.

Kryetari i sindikatës deklaroi në protestë se "Kjo luftë është për të gjithë komunitetin grek. Ne nuk mund të përdoremi si një mjet për shantazh". 

Protesta zhvillohet kundër vendimit të qeverisë, miratuar dhe nga Parlamenti, që në faturat e dritave të përfshihet edhe taksa e re mbi pronën. Përfshirja e kësaj takse në faturën e energjisë, i detyron qytetarët ta paguajnë, pasi në rast të kundërt ndëshkohen me ndërprerje të energjisë elektrike. 

Ndërkaq sindikata e sektorit publik, ADEDY në një deklaratë dënon ndërhyrjen e dhunshme të policisë mbi protestuesit. "Dënojmë ndërhyrjen e sotme brutale e forcave represive kundër punëtorëve të qendrës kompjuterike, që refuzojnë të zbatojnë urdhrat e paligjshëm dhe të padrejtë të qeverisë, për të mbledhur taksat shtesë përmes faturave të energjisë elektrike nga familjet që tani janë në mjerim ekonomik", thuhet në një deklaratë.

ADEDY mbështesin luftën e sindikalistëve të ndermarrjes energjetike dhe i fton të gjithë të marrin pjesë në një grevë masive të përgjithshme, në 1 dhjetor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›