Buxheti 2023/ Krifca: Bujqësia financohet sot dyfish më shumë se kur qeverisej nga të djathtët

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca tha se buxheti 2023 ofron për këtë sektor 14.2 miliardë lekë, dyfishi më shumë se buxheti që ofronte qeveria kur drejtohej nga Sali Berisha
Krifca tha se me investimet në bujqësi janë rritur edhe eksportet ku vetëm në 10 mujorin e 2022 shkojnë në 441 milionë dollarë, ndërsa në kohën kur drejtonin të djathtët eksportet shënonin 149 milionë dollarë.
“Ju ofronit më pak se gjysma e buxhetit që adreson sot qeveria socialiste. Për sektorin e bujqësisë, këtij sektori që ju i qani hallin me fjalë, por kur e keni në dorë vendimmarrjen, bëni të kundërtën. Buxheti që adreson sot qeveria në mbështetje të fermerëve, bujqësisë dhe zhvillimit rural është dyfish më lartë nga ajo që financonte dje qeveria e djathtë. Jepni vetëm gjysmën e buxhetit që vëmë ne në dispozicion. Prandaj atëherë eksportet bujqësore ishin 149 milionë dollarë dhe sot vetëm për këtë vit në 10- mujor kemi shkuar në 441 milionë dollarë. Ndërkohë Qeveria socialiste në vitin 2022 i ka dhëne bujqësisë 13.7 miliardë lekë dhe fermerëve mbështetje me 7.1 miliardë lekë, nga të cilat 4.9 miliardë mbështetje e drejtpërdrejtë”, tha Krifca në Kuvend.
/rtsh.al/