E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi i PS, Berisha: Taksa marksiste nuk kthehet kurrë në këtë vend

Berisha për sistemin fiskal të PS: “Ai është provuar një sistem katastrofal dhe një nga shkaqet e falimentimit të doktrinës ka qenë sistemi i tij fiskal, që bazohet në rrënimin e të pasurve”

TIRANË Masat e propozuara nga Edi Rama për ekonominë në programin e miratuar

dy ditë më parë nga Asambleja Kombëtare e PS-së janë të papranueshme për kryeministrin Sali Berisha. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se nuk do të pranojë taksën progresive. “Ata, të cilët depozitojnë e vendosin projektet e tyre në Shqipëri, dëshmojnë një besim të madh te ky vend. Ndaj më duhet të përshëndes të gjithë sipërmarrësit, punonjësit e tyre, të gjitha ata që sot janë lokomotivë e zhvillimit ekonomik të këtij vendi dhe i garantoj se taksa marksiste nuk do të kthehet kurrë në këtë vend. Ata që mendojnë të begatojnë vendin duke shkatërruar e luftuar të pasurit, ata që mendojnë se do të begatojnë vendin duke bllokuar privatizimet, koncesionet dhe partneritetin publik-privat nuk bëjnë gjë tjetër veçse shpalosin alternativën e etërve të tyre, e cila nuk kthehet kurrë më në këtë vend”, - tha dje Berisha, duke e cilësuar sistemin e propozuar si “marksist”. “Sistemi marksist fiskal nuk ka e nuk mund të ketë të ardhme. Ai është provuar një sistem katastrofal dhe një nga shkaqet e falimentimit të doktrinës ka qenë sistemi i tij fiskal, që bazohet në rrënimin e të pasurve. Ndaj dua t’i garantoj sipërmarrësit dhe investitorët: jo vetëm që nuk mund të ketë ndonjë mendim për t’i rritur, përkundrazi, qeveria do të konsiderojë çdo hap tjetër, për të lehtësuar veprimtarinë e tyre, si dhe do të ndërmarrë një përpjekje të re të madhe, për të zgjeruar lirinë ekonomike të sipërmarrjes, me besimin më të madh se kjo është rruga më e sigurt në këtë kohë tepër të vështirë”, - tha ai. Berisha shtoi se eksportet shqiptare janë dëshmia më e sigurt e rritjes së produktivitetit dhe rritjes së prodhimit. “Dokumenti i fundit mbi lirinë ekonomike në botë fakton se ajo ka pasur ndrydhje, se kriza financiare, ekonomike dhe e borxheve ka shtyrë qeveritë drejt masave që kanë ngushtuar e ndrydhur lirinë ekonomike. Por kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri, madje ka ndodhur e kundërta, liria ekonomike është rritur me 16 për qind”, - tha Berisha, duke shkuar më tej: “Rritja e eksporteve shqiptare, në kulmin e krizës së borxheve në Europë, shkon paralel me rritjen më të madhe të investimeve të huaja në historinë e vendit, investime që vitin e kaluar, pavarësisht nga kriza europiane dhe botërore, shënuan në Shqipëri rritjen më të madhe në tërë rajonin, ose Shqipëria, vendi i vetëm me rritje të investimeve në tërë rajonin. Dhe paralel me të është edhe rritja e madhe e eksporteve të vendit, rritje që tregon se ekonomia shqiptare në garën rajonale dhe botërore po funksionon e po garon gjithnjë e më mirë”.

Programi i PS-së për ekonominë

300 mijë vende të reja pune brenda mandatit të parë qeverisës

Anulim të gjitha koncesioneve të paligjshme; rikthimi i transparencës në procedurat e tenderave

Ulje e kostos së jetesës për 95% të popullsisë, duke hequr barrën e taksës së sheshtë dhe duke vendosur drejtësi përmes tatimit progresiv

Pesëfishim i financimit publik për bujqësinë

Ulje e TVSh-së për produktet ushqimore bazë

Heqje e sistemit të referencave

Zgjidhje përfundimtare e çështjes së pronës

Infrastrukturë moderne që mbështet zhvillimin dhe afron Shqipërinë me Europën

Shqipëri pa plehra brenda mandatit të parë qeverisës, mjedis i pastër për sot dhe të ardhmen

Hartim dhe miratim i planit të përgjithshëm kombëtar dhe masterplanit kombëtar për zhvillimin e turizmit

INSTAT nën kontrollin e Kuvendit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›