E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, Ahmetaj: Qeveria e papërgjegjshme për efektet e krizës

TIRANE-Deputeti socialist Arben Ahmetaj i ftuar në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” deklaroi sot se buxheti i qeverisë nuk është realist, por debatet e opozitës janë konstruktive dhe të përgjegjshme.

“Ky buxhet nuk sjell asnjë të mirë për qytetarin. Rritja ekonomike nuk është parashikuar mirë nga qeveria në këtë kohë krize. T'i referohemi shifrave të FMN e BERZH, gjykimet e tyre janë afër realitetit. FMN parashikon për vitin e ardhshëm rritjen 2.5 %, BERZH 1.5%, pra rritje modeste, jo ato që parashikon qeveria. Ne i kemi rënë kambanës për buxhete jorealiste, shpenzime të pajustifikuara”.

Më tej Ahmetaj shtoi se përballë krizës botërore, qeveria deklaron refrene për rritje ekonomike.
“Shkojë në komisionet kuvendore dhe dëgjojmë Boden e të tjerë ne kemi buxhet të mirë, buxhet konservator, këtë refren dinë. Si ka mundësi që një anije e vogël si vendi jonë në tërë këtë dallgë të madhe të krizës lundron e qetë sipas Berishës, ndërkohë që anije të mëdha si Italia e Greqia rrezikojnë të mbyten?”

Në kushtet aktuale tha Ahmetaj, opozita po luan rolin e lajmëtarit për rrezikun që i kanoset vendit ashtu si organizmat ndërkombëtarë, tha ai.
“Me të ardhura nga më të ulëtat, 23 % e PBB , FMN është i dyti pas opozitës që ka paralajmëruar shqiptarët për këtë situatë ku jemi sot. Ne jemi sot në valën më të rëndë të krizës. Se sot qeveria shqiptare ndjeu dhe krizën e likuiditeteve. Rritja e kredisë së keqe është alarmante. Cdo kryeministër në botë do kishte dhënë alarmin, por ky i joni rri i qetë. Ne si opozitë jemi të përgjegjshëm dhe jemi konstruktivë me debatet tona dhe me institucionet ndërkombëtare. Ne tregojmë ku është problemi, që rritja ekonomike që na tregojnë nuk është e vërtetë”.

“Ne jemi në buzë të humnerës, nuk duam që shteti shqiptar të kalojë atë që po kalon Greqia, Italia, Spanja, Irlanda apo vende të tjera”.

I ndalur tek borxhi publik, Ahmetaj theksoi se shifrat aktuale janë alarmante për një vend si Shqipëria.
“Një ekonomi si Shqipëria duron një borxh 40- 47% të PBB, dhe cdo ditë që kalon bëhet më keq. Cdo qytetar shqiptar lind me mbi 2 mijë lek borxh”.
Programi i PS
Deputeti socialist nënvizoi se programi i ri i PS-së rikthen modelin e shtetit që fokusohet tek qytetari i zakonshëm dhe mbështetet në filozofinë e së majtës moderne, që e konsideron konsumin si një të drejtë dhe jo privilegj.

“Ne qëndrojmë tek koncepti i së majtës progresive europiane, parimi bazë i së cilës është: Kush fiton më shumë paguan më shumë dhe kush fiton më pak paguan më pak”,- deklaroi Ahmetaj.

I pyetur për prioritetet e programit të PS-së, Ahmetaj theksoi se përveç qytetarit të zakonshëm, prioritet mbetet “rigjallërimi i të gjithë kapitalit dhe pronave që zotëron vendi.”

(da.bo/er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›